Please enter at least 3 characters.

De Bruyne shokon për Antonio Conten: Jam i lumtur që u largua nga Napoli

Kevin De Bruyne ka lënë të kuptohet se e ardhmja te Napoli është në pikëpyetje, teksa nuk e fshehu aspak zhgënjimin me Antonio Conten, duke pranuar hapur se marrëdhënia e tyre nuk funksionoi.

Ish-ylli i Manchester Cityt u transferua si lojtar i lirë te Napoli verën e kaluar, por nuk pati shumë kohë ta shijonte aventurën në “Diego Armando Maradona”, pasi në fund të tetorit pësoi një dëmtim serioz në kofshë që e mbajti jashtë deri në mars.

Në total, belgut iu numëruan 21 paraqitje në të gjitha garat, me pesë gola dhe katër asistime, por ai nuk arriti kurrë të krijojë “kimi” me trajnerin.

Duke folur për “Het Nieuwsblad” para Kupës së Botës, De Bruyne tregoi se sa e vështirë ishte bashkëpunimi me Conten.

“Natyrisht ishte e vështirë për mua, sepse Conte ka një vizion shumë të ndryshëm për futbollin nga unë. Sinqerisht, kurrë nuk pata mundësinë të luaja në pozitën time të preferuar”.

“Sidoqoftë, gjithmonë jam përpjekur të jap maksimumin për ekipin”.

De Bruyne kritikoi edhe qasjen e Contes në ndeshje, duke e cilësuar shpesh shumë defensive.

“Ne luanim shumë mbrojtës. Nëse përpiqesh ta fitosh çdo ndeshje me një gol diferencë me formacion 4-5-1, atëherë luan një lloj të caktuar futbolli. Në fillim të sezonit, ne tërhiqeshim edhe më thellë”.

“Sulmuesi ynë shënoi vetëm 10 gola, kështu që e kupton që statistikat nuk do të jenë të mira…”.

Kur u pyet nëse ishte i lumtur që Conte u largua nga Napoli, De Bruyne u përgjigj pa hezitim.

“Për mua, po. Sa më përket mua, ai nuk ishte i detyruar të qëndronte. Verën e kaluar u bënë disa premtime për mënyrën se si do të luanim, por në fund pothuajse asgjë nuk ndodhi”.

“M’u duk për të ardhur keq. Futbolli duhet të jetë i këndshëm dhe, për fat të keq, mua më mungoi ajo pjesë. S’ka kuptim të sillemi rreth e rrotull: kemi vizione të ndryshme për futbollin. Unë kurrë nuk arrita të luaj në pozitën time nën Conten”.

Sa i përket të ardhmes, De Bruyne nuk dha garanci, pavarësisht se Conte nuk është më në stol.

“Ende kam edhe një vit kontratë, por dua të flas për të. Vitin e kaluar u fol shumë se si do të luanim dhe çfarë do të bënim, por asgjë nuk ndodhi”.

Ndërkohë, me Max Allegrin që përmendet si kandidati kryesor për ta marrë drejtimin e Napolit – një trajner i njohur po ashtu për qasje të kujdesshme – nuk përjashtohet mundësia që De Bruyne të mendojë largimin./Telegrafi/