Dalin detaje të reja për 'konfliktin' mes Don Xhonit dhe Bini Diez
Shoubizi shqiptar u përfshi dje nga një incident i rëndë ku u përmendën emrat e reperit Don Xhoni dhe producentit të njohur Shkumbin Nebihu (Bini Diez).
Pas heshtjes fillestare, producenti vendosi të tregojë publikisht versionin e tij në “Prive” me Liberta Spahiun.
Gjatë rrëfimit të tij, Bini Diez u shpreh thellësisht i tronditur dhe i zhgënjyer nga ajo që kishte ndodhur, duke nënvizuar se situata ishte veçanërisht e rëndë për faktin që ai ndodhej me familjen.
Ai e cilësoi ngjarjen si të papranueshme dhe jashtë çdo norme, duke thënë se një veprim i tillë “nuk është as traditë e as zakon shqiptar”.
Producenti konfirmoi se në incident ishin të përfshirë Don Xhoni dhe vëllai i tij, duke theksuar se gjatë 25 viteve të karrierës së tij nuk kishte përjetuar kurrë një ngjarje të ngjashme.
Duke kujtuar momentet e para të sulmit, Bini tregoi se gjithçka nisi pasi makina e tij u bllokua në rrugë: sipas tij, automjeti i artistit iu vu përpara duke tentuar të godiste veturën e tij.
Ai shtoi se shkaku i konfliktit lidhet me një prej artistëve që ai menaxhon, duke lënë të kuptohet se pas incidentit qëndron një pakënaqësi profesionale.
Përveç deklaratës publike, Bini Diez ka paraqitur edhe një kallëzim në Policinë e Kosovës, me qëllim që rasti të hetohet dhe të marrë epilogun ligjor.
Në fund, producenti e cilësoi ngjarjen si të turpshme dhe theksoi se suksesi nuk ndërtohet mbi konflikte dhe skandale që përfshijnë njerëz të pafajshëm. /Telegrafi/


