Please enter at least 3 characters.

‘Çmendet’ Tottenhami, mbi 125 milionë euro për ta rindërtuar sulmin

Tottenhami po planifikon një investim prej rreth 125 milionë funteve për të përforcuar repartin ofensiv me dy emra të mëdhenj: Savinhon e Manchester Cityt dhe Nico Jacksonin e Chelseat.

Klubi londinez është ndër më aktivët në këtë afat kalimtar dhe, pasi ka përfunduar afrimet në mbrojtje dhe mesfushë, tani synon të rindërtojë sulmin. Sipas planit, Spurs janë të gatshëm të shpenzojnë 60 milionë funte për Savinhon dhe 65 milionë funte për Jacksonin.

Sipas Fabrizio Romanos, Tottenhami ka arritur marrëveshje personale me Savinhon, i cili ka kërkuar zyrtarisht largimin nga Manchester City për t'iu bashkuar skuadrës së Roberto De Zerbit.

Negociatat mes dy klubeve janë në zhvillim, ndërsa mbetet të përcaktohet tarifa përfundimtare e transferimit. Manchester City kërkon 60 milionë funte dhe ka bërë të ditur se do ta japë miratimin përfundimtar vetëm pasi të sigurojë një zëvendësues në treg.

Interesimi për brazilianin u intensifikua pasi Liverpooli refuzoi të negociojë për Cody Gakpon. Sulmuesi holandez ishte objektivi kryesor i Tottenhamit për krahun e sulmit, por drejtuesit e klubit nga Merseyside nuk pranuan ta shesin, duke preferuar ta mbajnë në skuadër.

Në të njëjtën kohë, Tottenhami ka kthyer vëmendjen edhe te një sulmues qendre. Sipas Daily Mail, drejtuesit e klubit kanë nisur kontaktet për Nico Jacksonin, të cilin Chelsea e vlerëson me 65 milionë funte.

Sulmuesi senegalez, 25 vjeç, i cili sezonin e kaluar ishte i huazuar te Bayern Munich dhe u aktivizua kryesisht nga stoli, dëshiron të transferohet te një klub ku do të ketë më shumë minuta në dispozicion.

Me gjashtë sulmues në përbërje, Chelsea është i hapur për ta shitur Jacksonin nëse merr ofertën e kërkuar.

Sipas raportimeve, drejtuesit e Tottenhamit do të zhvillojnë një takim zyrtar me homologët e Manchester Cityt gjatë javës së dytë të gushtit. Objektivi është që marrëveshja për Savinhon të mbyllet para 10 gushtit, ndërsa më pas londinezët do të paraqesin ofertën e parë prej 65 milionë funtesh për Nico Jacksonin përpara nisjes së sezonit të ri në Ligën Premier./Telegrafi/