Please enter at least 3 characters.

Chivu i del në mbrojtje Sommerit: Nuk e mendoj kurrë ndërrimin e tij

Interi nesër do të luajë në Amsterdam ndaj Ajaxit, ndeshjen e parë të këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, ku objektivi mbetet përsëritja e paraqitjeve të mëdha të edicioneve të kaluara.

Megjithëse starti në kampionat ka qenë i dobët, trajneri Cristian Chivu shfaqi sot para mediave besim se skuadra e tij do të tregojë fytyrën e vërtetë në Evropë.

“Sipas meje skuadra është e fortë dhe këtë e ka dëshmuar edhe ndaj Juventusit. Nëse shihet vetëm rezultati, atëherë është e lehtë të drejtohet gishti. E dimë çfarë do të thotë të humbasësh derbin e Italisë, por duhet parë edhe ajo që është bërë mirë gjatë ndeshjes".

"Mendoj se na mungon pak për t’i dhënë vazhdimësi gjërave pozitive dhe për t’i shtuar moral ekipit, i cili po bën gjithçka për të dalë nga kjo situatë. Problemi ka qenë vetëm te rezultatet”, u shpreh Chivu.

Trajneri zikaltër foli edhe për portierin Yann Sommer, i cili është kritikuar pas paraqitjes ndaj Juventusit.

“Nuk kam menduar kurrë për një ndërrim portieri. Nuk është e drejtë që Sommer të vihet në shënjestër dhe të gjykohet në këtë mënyrë".

"Ai ka treguar vlerat e tij edhe sezonin e kaluar dhe nuk do ta ndryshoj vetëm pse e kërkon opinioni publik. Kam shumë respekt për Martinez dhe ai do të ketë shansin e vet, ashtu si edhe Di Gennaro, por një lojtar me eksperiencën dhe vlerën e Sommer meriton të mbështetet. Kur dikush është në vështirësi, duhet ndihmuar, jo gjykuar”, tha Chivu. /Telegrafi/