Please enter at least 3 characters.

Çfarë ndodh me mbetjet mortore që u gjetën në veri? Flasin nga komisioni që do të ndihmojë në identifikimin e tyre

Gjetja e mbetjeve mortore është vetëm fillimi i një procesi kompleks identifikimi, thotë Samira Krehiq, udhëheqëse e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krehiq flet për rolin që do të ketë ICMP-ja pas zbulimit të mbetjeve mortore të së paku 23 personave në Zubin Potok të Kosovës, zhvarrimi i të cilëve përfundoi më 21 gusht.

Ky institucion pritet të kryejë analizat e ADN-së dhe krahasimin e mostrave biologjike për të arritur identifikimin e mbetjeve mortore.


Krehiq thotë se gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin.

Në rastet më komplekse, sipas saj, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.

Ajo thotë se identiteti i viktimave dhe ngjarja nuk duhet të paragjykohen para përfundimit të analizave të ADN-së.

“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave që janë gjetur, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, thotë Krehiq.

ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999.

Sipas një raporti të institucionit të vitit 2017, mbi 2.500 nga rreth 4.500 personat e zhdukur nga lufta dhe pasojave të saj ishin identifikuar me ndihmën e teknologjisë së ADN-së.

Rreth 2.000 raste të tjera ishin identifikuar përmes metodave tradicionale, kryesisht para vitit 2002.

Në intervistën për REL-in, Krehic shpjegon si mund të trajtohen identifikimet e gabuara në të kaluarën dhe çfarë duhet të bëjë Kosova për ta zvogëluar varësinë nga ndihma ndërkombëtare.