Please enter at least 3 characters.

Çeku njofton se restaurimi i Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren është afër finalizimit

13:"Mrine Godanca

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku ka njoftuar se restaurimi i Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren është afër finalizimit.

“Qendra kulturore hebraike në Prizren drejt përfundimit. Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Çeku pas vizitës në këtë ndërtesë.

Ngjashëm është shprehur edhe ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, që vjen nga radhët e komunitetit hebraik të Kosovës.

“Kjo nismë e rëndësishme i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë hebraike, si dhe miqësisë shumëvjeçare ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve në Kosovë”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale, duke theksuar se projekti mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, raporton Telegrafi.

Punimet për restaurimin e ndërtesës ku do të funksionojë Qendra Kulturore Hebraike kanë filluar në nëntor të vitit 2022, me ç’rast pjesëtarë të komunitetit, diplomatë e zyrtarë institucionesh patën pohuar se në këtë mënyrë pasurohet mozaiku shumëkulturor i qytetit të vjetër.

Qendra Kulturore Hebraike dhe Sinagoga do të funksionalizohet në rrugën e Bujtinave përkatësisht te 'Qafa e Kishës'. Ajo do të vihet në shërbim të komunitetit hebraik, por edhe gjithë qytetarëve dhe vizitorëve të huaj. Në të krahas sinagogës do të ketë hapësirë muzeale, galeri, bibliotekë, etj.

Kjo ndërtesë në të shkuarën ka funksionuar si bujtinë ose hotel, dhe përgjatë kohës ka ndryshuar destinimi i saj. /Telegrafi/