Camille Gottlieb tërheq vëmendjen me pozat në plazh dhe ngjashmërinë me Grace Kellyn
Camille Gottlieb, mbesa 27-vjeçare e ikonës së ndjerë të Hollywoodit dhe princeshës së Monakos, Grace Kelly, ka tërhequr vëmendjen me fotografitë e publikuara nga pushimet e saj në Mauritius.
Vajza e Princeshës Stéphanie të Monakos dhe Jean Raymond Gottlieb ndau në Instagram një seri imazhesh nga ishulli afrikan, ku shfaqet duke shijuar ditët pranë detit me veshje verore dhe bikini me motive leopardi.
Në disa prej fotografive, ajo pozon mes peizazheve tropikale, ndërsa në të tjera shihet duke kaluar çaste të lumtura me miqtë, shkruan DailyMail.
Mes imazheve nuk munguan as momentet romantike me një mashkull të paidentifikuar.
Dyshja shfaqen të afërt dhe mjaft të dashuruar, ndërsa Camille i shoqëroi fotografitë me përshkrimin: “Rreze dielli, miq, ujë i kaltër bruz, ishulli ynë i preferuar në tokë dhe shumë dashuri”.
Paraqitja e saj vjen disa muaj pasi ajo mori vëmendje në Gala-në e Kryqit të Kuq të Monakos, ku u shfaq me një fustan të frymëzuar nga veshja ikonike që Grace Kelly mbajti në filmin “Rear Window” të vitit 1954.
Pas mbrëmjes, Camille falënderoi stilisten Elisabetta Franchi për mundësinë që t’i bënte homazh gjyshes së saj.
Ngjashmëria e saj me fituesen e Oscarit vazhdon të komentohet shpesh nga fansat, ndërsa me paraqitjet e fundit, Camille ka dëshmuar edhe një herë se ka trashëguar elegancën dhe sharmin që e bënë Grace Kellyn një ikonë të pavdekshme. /Telegrafi/


