Brazili i shpall "luftë" FIFA-s, kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit meksikan për ndeshjet e tyre
Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) ka ndërmarrë një hap të pazakontë duke paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA pas polemikave të ndarjes së drejtësisë në ndeshjen e Kupës së Botës kundër Skocisë.
Pavarësisht fitores bindëse 3-0, drejtuesit e futbollit brazilian janë të zemëruar për anulimin e një goli të Vinicus Junior dhe kanë kërkuar që gjyqtari i ndeshjes të mos caktohet më kurrë për të gjykuar ndeshjet e Brazilit.
Kontestimi lidhet me minutën e 21-të të sfidës së fundit të Grupit C. Me Brazilin që kryesonte falë një goli të hershëm të Viniciusit, ylli i Real Madridit realizoi edhe një herë pasi i mori topin Jack Hendry dhe mposhti me qetësi portierin Angus Gunn.
Edhe pse gjyqtari Cesar Ramos fillimisht e njohu golin, ndërhyrja e VAR-it bëri që ai të anulohej për një faull të dyshuar në nisje të aksionit.
Vendimi shkaktoi reagime të forta nga kampi brazilian, ku skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti argumentoi se kontakti ishte minimal dhe nuk përmbushte kriterin e "gabimit të qartë dhe evident" që justifikon ndërhyrjen e VAR-it.
Presidenti i CBF-së, Samir Xaud, e ka përshkallëzuar çështjen duke i dërguar një letër zyrtare presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ku kundërshton mungesën e konsistencës në gjykim gjatë turneut.
CBF ka kërkuar në mënyrë specifike që gjyqtari meksikan Cesar Ramos të mos caktohet më në ndeshjet e Brazilit në Amerikën e Veriut.
Sipas dokumentit të siguruar nga media braziliane Estadao, federata kujton edhe një "histori negative" me Ramosin, që daton nga Kupa e Botës 2018 në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Brazili pretendon se atëherë iu mohua një penallti e pastër dhe nuk u sinjalizua një faull në aksionin që solli golin e barazimit të zviceranëve.
Në letër argumentohet se, për shkak të këtyre episodeve, Ramos nuk duhej të ishte caktuar fare për të gjykuar ndeshjen ndaj Skocisë.
Dokumenti shton gjithashtu se vendimi për anulimin e golit "dukej i papritur jo vetëm për lojtarët e Brazilit, por edhe për futbollistët skocezë, reagimet e menjëhershme të të cilëve tregonin se as ata nuk prisnin një rishikim nga VAR-i apo anulimin e golit”./Telegrafi/


