Please enter at least 3 characters.

Botërori 2026 sjell historinë e madhe, Bosnja dhe Hercegovina kalon për herë të parë grupet

Bosnja dhe Hercegovina ka siguruar për herë të parë në histori kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës, falë kombinimit të rezultateve në Grupin C.

Fitorja bindëse e Brazilit ndaj Skocisë me rezultat 3-0 dhe triumfi i Marokut ndaj Haitit me shifrat 4-2 kanë bërë që përfaqësuesja boshnjake të sigurojë matematikisht një vend mes 32 kombëtareve më të mira të turneut.

Bosnja dhe Hercegovina e kishte kryer punën e saj më herët gjatë ditës, duke mposhtur Katarin me rezultat 3-1 dhe duke e mbyllur Grupin B në pozitën e tretë.

Pas rezultateve të së enjtes, është bërë e qartë se të paktën katër kombëtare që do të përfundojnë në vendin e tretë në grupet e tjera nuk mund ta kalojnë Bosnjën dhe Hercegovinën në renditjen e ekipeve të vendeve të treta, duke i siguruar asaj një biletë për fazën nokaut.

Në Grupin D, Paraguai mund të arrijë maksimalisht katër pikë, por edhe në atë rast nuk do të kishte bilanc më të mirë se boshnjakët. Ndërkohë, në Grupin I, Iraku dhe Senegali mund të grumbullojnë maksimalisht nga tre pikë, ndërsa në Grupin J njëra mes Austrisë dhe Algjerisë do të mbetet pas Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ky është një sukses historik për boshnjakët. Deri më tani, paraqitja e vetme e tyre në Kupën e Botës kishte ardhur në vitin 2014 në Brazil, ku përfunduan në vendin e tretë të grupit pas Argjentinës dhe Nigerisë, duke mos arritur të kualifikoheshin në fazën eliminatore.

Tani situata është krejtësisht ndryshe. Me formatin e ri të Kupës së Botës me 48 kombëtare, tetë nga dymbëdhjetë ekipet më të mira të vendeve të treta sigurojnë kalimin tutje, dhe Bosnja dhe Hercegovina ka përfituar nga kjo mundësi për të shkruar historinë.

Sa i përket kundërshtarit të ardhshëm, boshnjakët mund të përballen vetëm me fituesin e Grupit D ose atë të Grupit E. Fituesi i Grupit D është tashmë SHBA-ja, ndërsa Gjermania ka siguruar vendin e parë në Grupin E. /Telegrafi/