Please enter at least 3 characters.

Balogun flet për herë të parë për skandalin e kartonit të kuq, vendimin e FIFA-s dhe zhurmën rreth Trumpit

Sulmuesi amerikan, Folarin Balogun, ka folur për herë të parë pas vendimit të diskutueshëm të FIFA-s që i lejoi atij të luante në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës ndaj Belgjikës, pavarësisht kartonit të kuq të marrë në sfidën e mëparshme.

Balogun u bë protagonist i një prej polemikave më të mëdha të këtij Botërori, pasi fillimisht u përjashtua nga fusha, por më pas pezullimi i tij u anulua në mënyrë të papritur pak para përballjes ndaj Belgjikës në Seattle.

Vendimi shkaktoi reagime të shumta dhe ngriti pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si u mor.

Megjithatë, sulmuesi amerikan nuk arriti të bëhej heroi i kombëtares së tij.

Në stadiumin “Lumen Field”, Belgjika ishte dukshëm më e mirë dhe triumfoi me rezultatin 4-1, duke eliminuar Shtetet e Bashkuara nga gara.

Balogun, i cili ishte në qendër të vëmendjes para ndeshjes, u neutralizua nga mbrojtja belge.

Pas eliminimit, ai foli për situatën e krijuar dhe mënyrën se si e përjetoi gjithë këtë periudhë.

“Për mua ishte shumë e thjeshtë. E pranova vendimin kur mora kartonin e kuq ndaj Bosnjës dhe në të njëjtën mënyrë e pranova edhe vendimin për anulimin e pezullimit dhe për të luajtur. Pastaj dolëm në fushë dhe Belgjika ishte thjesht më e mirë se ne”, deklaroi Balogun për Gazzetta dello Sport.

Sulmuesi amerikan pranoi se ende nuk e kupton se si skuadra e tij zhvilloi një paraqitje kaq të dobët në një ndeshje kaq të rëndësishme.

“Është e vështirë të thuash saktësisht se çfarë ndodhi, por nuk luajtëm mirë. Nuk e di si është e mundur të mos kesh energji në një ndeshje të 1/8 së finales së Kupës së Botës, por kjo na ndodhi. Tani duhet të presim edhe katër vite për një mundësi tjetër dhe kjo dhemb shumë”, u shpreh ai.

Vendimi për anulimin e kartonit të kuq shkaktoi reagime të forta në mbarë botën, me shumë akuza ndaj FIFA-s për favorizim dhe ndikime të jashtme. I pyetur nëse priste që situata të merrte përmasa kaq të mëdha, Balogun u tregua i kujdesshëm.

“Kur merr një karton të kuq, është normale të presësh që të mungosh në ndeshjen e ardhshme. Nëse një vendim i tillë ndryshon, është logjike që të ketë polemika. Por unë jam vetëm një futbollist. Detyra ime është të dal në fushë dhe të përqendrohem te puna ime”, tha ai.

Balogun gjithashtu theksoi se nuk kishte dijeni për proceset prapa skenave dhe se nuk ishte i përfshirë në procedurat që çuan në ndryshimin e vendimit.

“E përsëris, unë vetëm respektova vendimet e FIFA-s. Nuk i dija detajet dhe nuk isha pjesë e asaj procedure. Kjo thjesht nuk kishte të bënte me mua”, shtoi sulmuesi amerikan.

Pas ndeshjes, pavarësisht polemikave, Balogun u pa duke biseduar me trajnerin e Belgjikës, Rudi Garcia, të cilit i uroi fitoren.

“E njoh dhe shkova ta përgëzoj. Ai më tha se shpreson që e gjithë kjo situatë të mos e mbulojë një turne fantastik që kam zhvilluar. Më inkurajoi të qëndroj pozitiv. Kur emocionet të qetësohen, mendoj se do të mund të shikoj pas dhe të kuptoj se kemi pasur një verë të jashtëzakonshme. Kemi arritur të bashkojmë vendin dhe ta afrojmë futbollin me shumë njerëz”, tregoi Balogun.

Në fund, sulmuesi amerikan pranoi se kjo çështje do ta shoqërojë edhe në të ardhmen.

“E di që do të më duhet të përballem me këtë situatë. Tani gjëja më e rëndësishme është të mbledh mendimet e mia dhe, kur të vijë koha e duhur, do të mund të flas për gjithçka me shumë më tepër qartësi”, përfundoi ai. /Telegrafi/