Bajrami i kërkon BE-së të sigurojë zbatimin e obligimeve nga Serbia për personat e zhdukur
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se i ka përcjellë zyrtarisht Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, shqetësimet e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me personat e zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 shkruan Telegrafi.
Përmes një postimi në platformën X, Bajrami tha se i ka kërkuar Bashkimit Evropian të sigurojë që Serbia t'i zbatojë plotësisht obligimet e marra në kuadër të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Sipas tij, këto obligime përfshijnë qasje të pakufizuar në arkivat relevante, si dhe mbrojtje për të gjithë ata që ofrojnë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
As Chief Negotiator of the Republic of #Kosova, I have formally conveyed to @EUSR_Dialogue Peter Sørensen our grave concerns over recent developments regarding missing persons from the 1998–1999 war.
I have requested the EU to ensure Serbia fully implements its commitments under…
— Agron Bajrami (@AgronBajrami) August 4, 2026
"Kam kërkuar nga BE-ja të sigurojë që Serbia t'i zbatojë plotësisht obligimet e saj sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur, duke përfshirë qasje të pakufizuar në arkiva dhe mbrojtje për ata që dalin përpara me informacione", ka shkruar Bajrami transmeton Telegrafi.
Ai ka theksuar se familjet e personave të zhdukur kanë pritur për një kohë tepër të gjatë për të mësuar të vërtetën.
"Familjet kanë pritur shumë gjatë për të vërtetën", është shprehur Kryenegociatori i Kosovës.
Çështja e personave të zhdukur mbetet një nga temat kryesore në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Deklarata për Personat e Zhdukur, e dakorduar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, parasheh bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Ndryshe Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se në fshatin Kalludër e Vogël janë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore.
Ndërsa ndërkaq në fshatin Jabukë të kësaj komune, sipas ministrit në detyrë për Punë të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, janë zbuluar mbetjet mortore të të paktën katër personave dhe tash është identifikuar edhe një vend i tretë.


