Avokati Ibrahimaga: Vendimi i Supremes është final – Qeveria nuk mund ta ankimojë
Avokati Virtyt Ibrahimaga, i cili e ka ngritur në Gjykatën Supreme çështjen për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për pajisjet fiskale dhe softuerët elektronikë, ka deklaruar se vendimi i Supremes është përfundimtar dhe nuk mund të ankimohet nga Qeveria.
“Qeveria nuk mundet me ankimu këtë vendim, ky është vendim final, pasi kjo padi e ka një akt ligjor dhe prej akteve ligjor nuk ka instance tjetër përveç Supremes”, ka deklaruar ai në emisionin FIVE.
Deklaratat e tij vijnë pasi Qeveria në detyrë e ka cilësuar aktgjykimin e Supremes si politik dhe ka paralajmëruar se do ta ankimojë atë. Por sipas avokatit, këto reagime janë të nxituara.
“Neve na vjen keq që kjo çështja është politizuar, kjo nuk është çështje politike e kemi nisur me klientin për çështje shumë konkrete. Reagimi i Qeverisë për mua nuk ka qenë në rregull, sigurisht është bërë me nguti dhe nuk kanë pasur kohë me studiu aktgjykimi. Ky reagim i shpejt e dëmton qeverinë së pari, në radhë të parë pasi u panë edhe reagimet e institucioneve të huaja. Edhe i padrejtë në fakt, se Supremja ka reputacion të kontestueshëm”, ka theksuar ai.
Ibrahimaga ka thënë se sipas nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, një ministër në dorëheqje nuk ka kompetencë të ndërmarrë iniciativa ligjore apo të miratojë udhëzime nënligjore, duke e konsideruar vendimin e Supremes si të drejtë dhe të argumentuar.
“Ne e kemi argumentuar, se një ministër në detyrë sipas ligjit për qeverinë duhet me i ekzektutu vendimet që janë marrë përpara edhe nuk mundet me marrë iniciativa të tjera, ligjorë nënligjorë, strategji me miratu, nuk mundet të bëjë emërime më ligj janë paraparë disa. Është shumë e qartë se ministri në dorëheqje neni 31 të ligjit për qeverinë nuk mundet me marrë veprime përtej veprimeve të nevojshme vjetore”, ka theksuar ai.


