"Askush nuk është më i madh se klubi" - Real Madridi refuzon kërkesat e Viniciusit për një kontratë të re
E ardhmja e Vinicius Juniorit te Real Madridi mbetet e paqartë, pasi negociatat për rinovimin e kontratës nuk kanë sjellë ende një marrëveshje mes palëve.
Sipas raportimeve nga Spanja, bisedimet kanë zgjatur prej afro një viti, por dallimet financiare vazhdojnë të mbeten pengesa kryesore.
Që në fillim të negociatave, sulmuesi brazilian ka kërkuar një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon, si dhe 100 për qind të të drejtave të imazhit, kushte të ngjashme me ato të Kylian Mbappe.
Real Madridi fillimisht i ofroi 22 milionë euro në sezon dhe 50 për qind të të drejtave të imazhit, ndërsa oferta e fundit është rritur në 23 milionë euro në vit, pa ndryshuar përqindjen e të drejtave të imazhit. Klubi gjithashtu nuk pranon t'i paguajë lojtarit bonus nënshkrimi, një tjetër kërkesë e kampit të Viniciusit.
Pas takimit të fundit, drejtuesit madrilenë thuhet se i kanë kërkuar brazilianit të marrë një vendim përfundimtar, duke dërguar një mesazh të qartë: "Askush nuk është më i madh se Real Madridi".
Arsenali futet fuqishëm në garë
Në anën tjetër, Arsenali raportohet se është gati t'i ofrojë Viniciusit kushte më të mira financiare.
Klubi londinez thuhet se i ka propozuar 25 milionë euro në sezon dhe 100 për qind të të drejtave të imazhit, një ofertë që e tejkalon atë të Real Madridit.
Sipas raportimeve, drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, është optimist se transferimi mund të realizohet gjatë kësaj vere.
Tashmë vendimi i takon vetë Viniciusit, i cili duhet të zgjedhë mes vazhdimit të karrierës në "Santiago Bernabeu" ose një aventure të re në Ligën Premier. /Telegrafi/


