Arrestohet Ilir Xhaka, vrasësi i kryepolicit
Ilir Xhakja është i dyshuari kryesorë për vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj, shefi i Komisariatit të Shijakut. 38 vjeçari është person me precedentë penale, i dënuar 21 vjet heqje liri. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e enjte rreth orës 18:00, në Katund Sukth të Durrësit, ku u vra në krye të detyrës shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.
Shefi i Komisariatit të Policisë së Shijakut Adem Tahiraj sapo kishte dalë nga një mbledhje në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit ku më pas kishte zbritur menjëherë në bazë për të zbatuar detyrat e shtruara në mbledhje. Bëhej fjalë për një plan masash që synonte arrestimin e personave që qarkullojnë me armë pa leje. Gjatë tentativës për të kontrolluar një automjet ku gjendeshin disa të rinj, komisari është qëlluar për vdekje me breshëri automatiku në automjetin e tij. Më pas, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre.
Pak minuta pas ngjarjes, policia ka gjetur një makinë të braktisur, tip ‘Benz’ VG 140 HG, pranë vendit ku ndodhi vrasja, që dyshohet se i përket autorëve të krimit, të cilët janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim. Burime nga policia konfirmojnë se autorë të dyshuar të vrasjes janë Ilir Xhakja, 38 vjeç, një person me precedentë penalë, i dënuar me 21 vjet heqje lirie dhe A. Xhakja, 18 vjeç, nipi i 38-vjeçarit, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në krim.
Gjykata e Lartë e ka rrëzuar në vitin 2009 dënimin e Ilir Xhakjas me 21 vjet burg. “Gazeta Shqiptare” publikon vendimin e plotë të kësaj gjykate që e kthen çështjen për rigjykim këtë rradhë jo te Krimet e Rënda, por te gjykata e shkallës së parë të Durrësit. Argumenti në vija të përgjithshme është ky: gjykata e Krimeve të Rënda nuk kanë kompetencë të shqyrtojnë dhe japin vendime për akuzat që gjykohej Ilir Xhakja. Me një ndryshim në Kodin Penal, këtë kompetencë e kanë gjykatat e rretheve përkatëse, konkretisht ajo e Durrësit. Pasi çështjashkoi në gjykatën e Durrësit, kjo e fundit i ka dhënëlirinë Ilir Xhakjas duke i dhënë pafajësinë.
I forti” i Shijakut, Ilir Xhakja rezulton i dënuar për vrasje nga gjykatat shqiptare të shkallës së parë e shkallës së dytë. Nuk dihet pse ai është i lirë, por burime zyrtare thanë se ka fituar pafajësinë në Gjykatën e Durrësit.
Me një vendim të datës 27 mars 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda, e dënoi Ilir Xhakjan me 21 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim në dëm të viktimës Qerim Maloku. Pesëshja gjykuese e kryesuar nga Nertina Kosova pushoi ndaj Xhakjas akuzën e “Mbajtjes pa leje te armeve luftarake”. Ky vendim është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me vendimin e 31 dhjetorit 2006. Ka mundësi që Xhakja të jetë liruar në Gjykatën e Lartë.
Në korrik të vitit 2007, dy grupe te RENEA-s arritën të arrestonin në plazhin e Durrësit, në derdhjen e lumit Erzen, të shumë kërkuarin nga policia, Ilir Xhakja (ditëlindja 5 nëntor 1974), i cili më parë ishte dënuar 25 vite burg për vrasjen e Rudin Shahinit nga Katundi Sukth në Sallmone. “Këtë të fundit ai dyshohet se e vrau për t’u hakmarrë mbas daljes së këtij nga burgu pasi ai kishte vrarë xhaxhanë e tij, Hamdiun. Nuk dihet me siguri se si ka përfunduar i lirë, por burimet thanë se Xhakja mund të ketë marrë pafajësinë në Gjykatën e Apelit të Durrësit.
Gjatë operacionit në 2007, policia arrestoi dhe pesë persona të tjerë gjatë një operacioni të bujshëm”, - raportojnë gazetat e kohës, 5 vite më parë. Në makinën e të dënuarit, burime zyrtare të policisë thanë asokohe se u gjetën dy automatikë kallashnikovë dhe dy pistoleta, ndërsa bëhet e ditur se në shoqërinë e tyre ka qenë edhe një femër.
Ilir Xhakja akuzohej si person i dyshuar për një sërë vrasjesh në rrethin e Durrësit që nga viti 1994. Specialet e RENEA-s kanë bashkëpunuar dhe me forcat e Durrësit, duke izoluar personin që për vite me radhë vazhdonte t’u shpëtonte operacioneve më të detajuara të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të specializuara. Një telefonatë anonime ka shërbyer që specialet të hidhen në sulm. I akuzuar si i dyshuar për shumë vepra penale dhe një vrasje në bashkëpunim, rrëmbim personi, Xhakja u arrestua në grykëderdhje të Erzenit.
Personazhi që padyshim ka bërë jehonë me futjet dhe daljet e tij nga burgu në periudhën ’93-’03, më në fund është kapur së bashku me pesë shokë të tij, emrat e të cilëve u mbajtën të fshehtë nga policia. Se pse një person me kaq precedentë rezultoi i lirë, kjo është një përgjigje që duhet ta japë drejtësia, shkruan “Gazeta Shpiptare”. /Telegrafi/


