Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës
Me katër vota, Arian Gashi është zgjedhur kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ndërsa kundërkandidati tjetër Milot Krasniqi mori 2 vota.
Mandati i Gashit fillon nga 13 mars 2026 dhe zgjat deri në përfundimin e mandatit si anëtarë i Këshillit.
----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Arian Gashi prezanton platformën për drejtimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës
Kandidati për kryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, para anëtarëve të KPK-së ka paraqitur platformën dhe objektivat e tij nëse zgjidhet në krye të këtij institucioni.
Gashi tha se ka 14 vite përvojë pune si prokuror dhe se gjatë mandatit si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka përfaqësuar këtë institucion në tryeza dhe grupe të ndryshme punuese që lidhen me reformën në drejtësi.
“Të nderuar kolegë, anëtarë, prokurorë, prokurore dhe staf mbështetës, besoj në mbështetjen tuaj për një sistem prokurorial të bazuar në meritokraci dhe asnjëherë në interesa vetanake apo grupore”, ka deklaruar Gashi.
Ai theksoi se ka udhëhequr një sërë grupesh punuese që, sipas tij, kanë kryer detyrat me përkushtim.Duke paraqitur prioritetet e tij, Gashi tha se nëse merr besimin për të udhëhequr KPK-në, fillimisht do të angazhohet për rritjen e bashkëpunimit me anëtarët e këshillit dhe me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas tij, rreziku për cenimin e parimeve themelore ka qenë i madh, prandaj në fokus të punës së tij do të jetë mbrojtja e këtyre parimeve dhe jo mbrojtja e interesave të grupeve të caktuara.
“E gjithë puna e sistemit duhet të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe ndaj publikut. Puna jonë shihet vetëm përmes bashkëpunimit”, ka theksuar ai.
Gashi ka premtuar gjithashtu rritje të transparencës dhe hapje më të madhe ndaj mediave, duke thënë se Këshilli Prokurorial nuk duhet të “barikadohet”, siç sipas tij ka ndodhur në të kaluarën.
Ai shtoi se gjatë mandatit të tij do të angazhohet që puna e KPK-së të udhëhiqet mbi bazën e garancive kushtetuese, me trajtim të barabartë dhe të paanshëm.
Po ashtu, ai ka theksuar se do të punojë për avancimin e përgjegjësisë institucionale në sistemin prokurorial, duke filluar nga vetë anëtarët e KPK-së deri te të gjithë punonjësit e sistemit.
Sipas tij, rritja e llogaridhënies përmes mekanizmave të kontrollit do të synojë që çdo punonjës të mbajë përgjegjësi për punën e tij, me qëllim rritjen e performancës në sistemin prokurorial.
Ndër objektivat e tij, Gashi përmendi edhe mbrojtjen e prokurorëve dhe të sistemit prokurorial në rastet kur, sipas tij, cenohet dinjiteti i tyre.
Këshilli Prokurorial i Kosovës pritet që sot të zgjedhë kryesuesin e ri të këtij institucioni. Në garë për këtë post janë dy kandidatë, Arian Gashi dhe Milot Krasniqi. /BetimipërDrejtësi/


