Arabia Saudite “po vë një bast të madh” për t'u bërë një fuqi globale e Inteligjencës Artificiale
Arabia Saudite po shndërron pasurinë e saj nga nafta në një fuqi të re globale të inteligjencës artificiale.
Projekti kryesor që po e udhëheq këtë transformim është Humain, një kompani e themeluar nga fondi sovran i mbretërisë me vlerë afro 1 trilion dollarë. E prezantuar nga princi i kurorës, Mohammed bin Salman, Humain synon ta bëjë Arabinë Saudite tregun e tretë më të madh të AI-së në botë, pas SHBA-së dhe Kinës.
Drejtori ekzekutiv, Tareq Amin, thotë se përparësia e vendit qëndron te energjia e bollshme dhe e lirë që mundëson ndërtimin e qendrave gjigante të të dhënave.
Kompania planifikon të ndërtojë deri në gjashtë gigavat kapacitet qendrash të dhënash deri në vitin 2034, në bashkëpunim me gjigantë si Nvidia, AMD, Amazon dhe Cisco.
Këtë javë, ajo nënshkroi një marrëveshje prej 3 miliardë dollarësh me Blackstone për ndërtimin e qendrave të reja.
Humain prezantoi gjithashtu sistemin operativ Humain One, që lejon përdoruesit të komunikojnë drejtpërdrejt me kompjuterin përmes zërit apo tekstit.
Kjo nismë vjen në një moment kur Arabia Saudite përballet me ulje të çmimeve të naftës dhe vonesa në projektet e mëdha të Vision 2030, duke e bërë inteligjencën artificiale një shtyllë të re për rritjen ekonomike të mbretërisë. /Telegrafi/


