Please enter at least 3 characters.

Zejnulla Gashi emërohet Kryeprokuror i Shtetit, dekretohet nga Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar Zejnulla Gashin në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Haxhiu bëri të ditur se, pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga KPK-ja, është zhvilluar një shqyrtim i detajuar i materialeve, duke përfshirë edhe informacionet e institucioneve të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.

“Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo i uroi Gashit suksese në detyrën e re, duke theksuar rëndësinë e rolit të Kryeprokurorit në forcimin e sundimit të ligjit.

“Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues. Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se pret që Gashi ta ushtrojë detyrën me integritet profesional dhe moral, paanshmëri dhe guxim, duke vepruar gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Zejnulla Gashi u propozua një ditë më parë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke siguruar pesë nga gjashtë votat e anëtarëve të Këshillit. Ai pason në këtë detyrë Blerim Isufajn. /Telegrafi/