Please enter at least 3 characters.

Alarmi për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë rezulton i rremë, policia nis hetimet

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se informata për një mjet të dyshuar shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ka rezultuar e pavërtetë, pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente.

Fillimisht, rreth orës 08:00, policia kishte pranuar një informatë për një mjet shpërthyes në këtë lokacion, me ç’rast janë ndërmarrë masa të menjëhershme sigurie dhe është bërë evakuimi i qytetarëve në një perimetër të caktuar.

"Rreth orës 08:00, kemi pranuar një informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës", ka bërë të ditur Enis Pllana për Telegrafin.

Në njoftimin shtesë, Pllana ka konfirmuar se pas kontrollit të detajuar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

"Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë", thuhet në sqarim.

Ndërkohë, hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit, i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm. /Telegrafi/