“Al Hilal më gënjeu”, Joao Cancelo zbulon prapaskenat e rikthimit te Barcelona
Mbrojtësi i Barcelonës, Joao Cancelo, ka folur hapur për periudhën e tij te Al Hilal, duke thënë se në Arabinë Saudite ishte “gënjyer” nga njerëz brenda klubit.
Portugezi u rikthye te Barcelona në formë huazimi gjatë afatit kalimtar dimëror, pasi Al Hilal e la jashtë listës së skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.
“Te Al Hilal, fatkeqësisht, kisha njerëz që nuk më thanë të vërtetën. Më thanë se do të më regjistronin në listën e ligës saudite dhe pastaj, kur erdhi dita, nuk e bënë”, u shpreh Cancelo para gazetarëve.
Portugezi tregoi se shpesh është etiketuar si person me “personalitet të keq”, por këmbënguli se ai thjesht është i drejtpërdrejtë dhe i qëndrueshëm në fjalën e tij.
“Dhe pastaj unë jam gjithmonë ai me personalitetin e keq… Por të paktën e kam fjalën time, nuk e ndryshoj për asgjë. Gjithmonë kam qenë i njëjti. Jam i drejtpërdrejtë”.
Megjithatë, Cancelo theksoi se nuk mban mëri ndaj askujt dhe tani ndihet i lumtur te Barcelona, ku ka arritur edhe të fitojë një trofe.
“Unë nuk mbaj inat ndaj askujt. Sot jam këtu, jam shumë i lumtur, fitova një titull me Barcelonën, që për mua është klubi më i mirë në botë”, përfundoi Cancelo.
Ndërkohë, ende është e paqartë nëse Barcelona do të arrijë ta blejë përfundimisht Cancelon nga skuadra arabe./Telegrafi/


