Agron Leka jep dorëheqje nga pozitat menaxheriale në Spitalin e Gjilanit
Agron Leka, drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit (SPGJ), ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet menaxheriale që ka mbajtur brenda institucionit shëndetësor.
Përmes një njoftimi publik, Leka ka theksuar se vendimi është marrë pas një reflektimi të gjatë dhe të kujdesshëm, duke theksuar disa arsye personale dhe profesionale që kanë ndikuar në largimin e tij nga pozitat udhëheqëse.
Sipas tij, ndër arsyet kryesore janë: tejkalimi i afateve ligjore për avancim në pozitë, mbingarkesa me dy detyra njëkohësisht – si ushtrues detyre i drejtorit klinik dhe shef i Njësisë Koronare – si dhe kufizimet institucionale të cilat, siç thotë ai, e kanë vështirësuar zbatimin e reformave të nevojshme në spital.
“Jam përballur me pengesa të shumta administrative dhe burokratike, të cilat kanë vështirësuar zbatimin e reformave dhe përmirësimeve që i kam parë si të domosdoshme për institucionin tonë,” ka shkruar Leka në njoftim.
Ai ka falënderuar bashkëpunëtorët dhe stafin mjekësor për përkushtimin dhe mbështetjen gjatë gjithë periudhës së angazhimit të tij menaxherial, ndërsa ka shtuar se pavarësisht dorëheqjes, mbetet i përkushtuar ndaj profesionit të mjekut.
“Profesioni i mjekut mbetet mbi të gjitha – një thirrje njerëzore dhe etike, që i shërben jetës dhe dinjitetit njerëzor,” ka përmbyllur Leka. /Telegrafi/


