Abdixhiku: I takon presidentes Osmani që deri më 5 nëntor të përcaktojë se a ka ndonjë parti shumicë parlamentare apo nuk ka
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku theksoi se shumica e partive kanë deklaruar se nuk e kanë shumicën parlamentare.
Abdixhiku theksoi pas takimit se tani i takon presidentes që deri të mërkurën më 5 nëntor të përcaktojë se a ka ndonjë parti shumicë parlamentare apo nuk ka.
“...Tani kërkohet një fazë kalimtare për krizë por është e pamundur, sa më parë që organizohen zgjedhjet i shmangim krizat... Në këtë takim u bë e qartë nga përfaqësuesit e partive se nuk ka shumicë parlamentare... Rrjedhimisht tani i takon presidentes deri të mërkurën më 5 nëntor të përcaktojë se a ka shumicë a nuk ka shumicë.
Pati pretendime nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje se ndoshta duhet provuar edhe njëherë, por shumica e partive politike ishin të qartë se nuk ka shumicë”, tha ai.
Tutje, lideri i LDK-së tha se është diskutuar për planin e rritjes dhe trajtimin e një faze kalimtare të buxhetit, por jo sipas tij, të “programit elektoral që e prezantuan sot”.
“Por, një mundësi të kapërcimit, të vazhdimit të buxhetit të vjetër, por qëndrimi jonë është i qartë sa më herët që i caktojmë zgjedhjet, më herët bëhet qeveria e re dhe e bën buxhetin e Republikës”, tha ai. /Telegrafi/


