Please enter at least 3 characters.

A ka rrezikshmëri edhe nga dozat më të vogla të mundshme të rrezatimit?

Debati që po ndryshon politikat në SHBA!

PhD.C Besnik Saramati,Fizikant Mjekësor në Klinikën e OnkologjisëKërkues shkencor i Fizikës Mjekësore dhe EdukimitAsistent në Universitetin e Prishtinës

Rrezatimi jonizues është pjesë e jetës sonë moderne, në diagnostikën mjekësore, industrinë e energjisë, sigurinë ushqimore dhe madje edhe në natyrë. Por pyetja që mbetet e hapur për më shumë se një gjysmë shekulli është kjo: A ekziston një dozë minimale e sigurt nga rrezatimi jonizues? Apo çdo grimcë është një rrezik potencial për shëndetin?

Kjo dilemë qëndron në qendër të një debati të fortë shkencor dhe politik që po merr vrull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që mund të ketë ndikim global.

Çfarë është modeli LNT?

Modeli Linear No-Threshold (LNT) është baza mbi të cilën janë ndërtuar për dekada të tëra rregulloret e mbrojtjes nga rrezatimi në mjekësi, industri dhe mjedis. Ai pohon se çdo dozë, sado e vogël, rrit rrezikun për kancer apo dëmtime të tjera gjenetike, në mënyrë lineare, pa ndonjë "prag të sigurt".

Ky model është përkrahur nga organizata të mëdha ndërkombëtare si:

▪ ICRP (International Commission on Radiological Protection),
▪ UNSCEAR (Komiteti i OKB-së për efektet e rrezatimit), dhe
▪ Akademia Kombëtare e Shkencave e SHBA (BEIR VII, 2006)

Çfarë po ndryshon në SHBA?

Në maj 2025, Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkon nga agjencitë amerikane (p.sh. NRC dhe EPA) të rishikojnë modelin LNT dhe të shqyrtojnë mundësinë e kalimit në një model “me prag”, sipas të cilit vetëm dozat mbi një nivel të caktuar janë të rrezikshme. Ky urdhër ka hyrë në fuqi, dhe agjencitë janë tani në proces të hartimit të rregulloreve të reja, proces që përfshin konsultime publike dhe analizë të të dhënave shkencore.

Çfarë thotë shkenca?

Të dhëna epidemiologjike

Studime të mëdha, përfshirë një meta-analizë të mbi 300,000 punonjësve bërthamorë në SHBA, Britani dhe Francë (publikuar nga NCI, tregojnë se edhe dozat nën 100 mSv lidhen me rritje të rrezikut për kancer, veçanërisht leucemi dhe kancer të mushkërive. Analiza tregoi se për çdo 100 mSv dozë, rreziku për leucemi rritet me 48%. Këto të dhëna përputhen me atë që është vërejtur edhe tek të mbijetuarit e bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, ku edhe ekspozimet 5-50 mSv kanë rezultuar me rritje të rrezikut për kancer.

Mekanizmat biologjikë

Dëmtimet në ADN ndodhin edhe nga doza minimale. Mekanizmi i efektit ‘bystander’ sugjeron se edhe qelizat jo të ekspozuara mund të pësojnë dëmtime për shkak të sinjaleve që marrin nga qelizat e prekura. Kjo mbështet idenë se nuk ka një prag absolutisht të sigurt, sepse dëmi mund të përhapet edhe përtej pikës së kontaktit me rrezatimin.

Po kundërshtarët e modelit LNT?

Disa shkencëtarë si Edward Calabrese (Universiteti i Massachusetts) argumentojnë se:

▪ Modeli LNT është tepër konservativ dhe krijon frikë të panevojshme,
▪ Ekzistojnë prova për hormezën - idea që dozat e ulëta mund të stimulojnë mekanizma mbrojtës në trup,
▪ Rregulloret shumë të rrepta mund të sjellin kosto ekonomike të larta dhe të pengojnë zhvillimin teknologjik.

Ka apo jo “prag sigurie”?

Raporte të mëdha shkencore, përfshirë një analizë të The Lancet (2021), konkludojnë se nuk ka prova të forta për ekzistencën e një pragu të sigurt. Rreziku rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe lineare me dozën – edhe në nivelet më të ulëta. Prandaj, shumica e institucioneve ndërkombëtare të shëndetit publik vazhdojnë të rekomandojnë përdorimin e modelit LNT derisa të ketë prova më të forta në të kundërt.

Pse ka rëndësi ky debat?

Ky debat nuk është thjesht akademik. Ai prek vendime reale dhe të përditshme:

A duhet të kufizohen skanimet mjekësore me rreze X?
A janë të mbrojtur mjaftueshëm punonjësit e industrisë bërthamore?
A duhet të investojmë më shumë në energjinë bërthamore, edhe nëse zvogëlojmë masat mbrojtëse?

Për të gjitha këto, vendimi për të braktisur ose jo modelin LNT do të ketë ndikime të thella në politikën shëndetësore, mjedisore dhe ekonomike në mbarë botën.

Përfundim

Modeli LNT nuk është i përkryer, por mbetet baza më e qëndrueshme dhe e sigurt për vendimmarrje në fushën e rrezatimit. Çdo ndryshim në këtë qasje duhet të bazohet në konsensus shkencor të gjerë dhe prova të forta, e jo vetëm në interesa ekonomike apo politike dhe jo vetëm. Në një fushë ku rreziku, edhe pse i vogël, mund të akumulohet me kalimin e kohës - kujdesi dhe parimi i mbrojtjes maksimale mbeten jetikë. /Telegrafi/

Referencat:
1. BEIR VII Report, National Academies Press (2006)2. UNSCEAR Report (2021)3. National Cancer Institute, INWORKS Study (2020)4. Calabrese E.J., EMBO Reports (2004)5. The Lancet Oncology, “Low-dose radiation and cancer risk” (2021)