Please enter at least 3 characters.

A janë vërtet më të lumtur dhe më produktivë njerëzit që zgjohen herët?

Rutina që duket e vështirë në fillim mund të sjellë më shumë qetësi, energji dhe kontroll mbi ditën

Nëse këtë mëngjes jeni ngritur nga shtrati vetëm pasi keni shtypur disa herë butonin për shtyrjen e alarmit në telefon dhe më pas nuk keni mundur të kthjelloheni derisa keni pirë një filxhan kafe, me siguri njerëzit që zgjohen sapo bie alarmi, pinë lëngje të freskëta, ushtrojnë dhe hanë mëngjes para se të shkojnë në punë, ju duken sikur kanë ardhur nga një planet tjetër.

Edhe pse të gjithë të rriturve u nevojiten rreth shtatë orë gjumë, disa zgjohen në momentin e fundit për të mos u vonuar në punë, prandaj dita zakonisht u nis në mënyrë kaotike. Të tjerë zgjohen shumë më herët dhe me qetësi kryejnë një sërë aktivitetesh para se t’u fillojë dita e punës.

Megjithatë, a janë të ashtuquajturit tipa të mëngjesit vërtet më të lumtur, më të shëndetshëm dhe më produktivë? Shumë studime shkencore kanë treguar se po. Një hulumtim i publikuar së fundmi në revistën Journal of Sleep Medicine tregon se njerëzit që zgjohen herët janë më rrallë të stresuar dhe janë më të lumtur.

Është dëshmuar gjithashtu se ata që zgjohen herët janë më produktivë në punë dhe, në përgjithësi, nuk përballen me rënie të energjisë në fund të orarit të punës. Përveç kësaj, kanë më pak nevojë për ushqime me shumë kalori, janë më pak të irritueshëm dhe kanë sistem më të fortë imunitar. Me një fjalë, ka mjaft arsye të mira pse zgjimi i hershëm ia vlen, transmeton Telegrafi.

Si të bëheni tip i mëngjesit?

Nëse tashmë keni provuar të zgjoheni më herët dhe të mos e shtyni alarmin në telefon, e dini se kjo nuk është aspak e lehtë. Ndoshta edhe keni arritur të ngriheni në kohë disa herë, sepse keni pasur motivim për t’i ndryshuar zakonet e gjumit, por shpejt jeni kthyer te rutina e vjetër.

Pikërisht për këtë arsye, është e rëndësishme të bëni hapa të vegjël në rutinën e gjumit, në mënyrë që të qëndroni të qëndrueshëm.

Për fillim, është e rëndësishme të theksohet se zgjimi i hershëm ka kuptim vetëm nëse më parë keni fjetur mjaftueshëm. Kjo do të thotë se shkuarja në shtrat në kohë është hapi i parë që duhet ta bëni. Edhe pse kjo tingëllon e lehtë në teori, në praktikë shpesh nënkupton se do të rrotulloheni gjatë në shtrat para se t’ju zërë gjumi. Për fat të mirë, ka rutina që mund t’i vendosni për të fjetur më herët.

Truri ynë i do rutinat, prandaj veshja e pizhameve dhe larja e dhëmbëve në të njëjtën kohë çdo mbrëmje do të jenë sinjal i shkëlqyer se ka ardhur koha për gjumë. Hapa të tjerë që mund të ndërmerrni janë të hani darkë rreth orës 18:00 dhe pas kësaj të mos konsumoni ushqim, të mos pini kafeinë gjatë orëve të pasdites, të mos përdorni telefonin 30 deri në 60 minuta para se të shkoni në shtrat dhe t’i zbehni dritat në shtëpi, sepse drita e fortë mund ta pengojë prodhimin natyror të melatoninës në trup.

Shmangni edhe gjumin e pasdites derisa regjimi juaj i ri i gjumit të stabilizohet.

Nëse i keni ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, por ende nuk mund të flini, mos qëndroni në shtrat duke u rrotulluar më shumë se 20 minuta. Pas kësaj kohe ngrihuni dhe nisni një aktivitet që do t’ju qetësojë – lexoni një libër, bëni joga relaksuese ose shtrijeni lehtë trupin. Mos shikoni telefonin dhe mos konsumoni ushqim, sepse në këtë mënyrë do të zgjoheni edhe më shumë.

Qëndrueshmëria është më e rëndësishmja

Në këtë proces, gjëja më e rëndësishme është qëndrueshmëria. Ka shumë mundësi që në netët e para të keni problem të flini, por nëse nuk hiqni dorë nga rutinat e përmendura të mbrëmjes, organizmi juaj së shpejti do të mësohet me regjimin e ri të gjumit.

Po ashtu, mos bëni ndryshime drastike. Për fillim, zhvendoseni orarin e gjumit për një orë më herët, pastaj pas një apo dy javësh edhe për një orë tjetër, derisa të arrini qëllimin që i keni vënë vetes.

Jini të butë me veten gjatë këtij procesi dhe mos e fajësoni veten nëse ndodh që një natë të flini më vonë se ç’duhet. Mos harroni se përjashtimet ekzistojnë për ta vërtetuar rregullin.

Këshilla e fundit

Për të këmbëngulur në arritjen e cilitdo qëllim, përfshirë edhe atë që të bëheni person që zgjohet herët, është e rëndësishme të keni një arsye të mirë dhe ta motivoni rregullisht veten.

Prandaj, mendoni se në çfarë mënyre do të ndryshonte jeta juaj nëse do të fillonit të zgjoheshit më herët. Shkruani të gjitha përfitimet që do t’i kishit dhe lexojeni këtë listë sa herë që ju vjen dëshira të hiqni dorë. Në këtë mënyrë do ta motivoni veten që të mbeteni të qëndrueshëm në synimin tuaj. /Telegrafi/