Ambasada bullgare fillon me dhënien e vizave qytetarëve të Kosovës

Zëvendësministri bullgar tha se dhënia e vizave do të jetë në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian, përkatësisht me të çmimet e vizave të shteteve anëtare të BE së.
"Jemi në proces të akreditimit të dy agjencive turistike, të cilat kanë shprehur interesin për dërgimin e turistëve në Bullgari. Mendoj se nga viti i ardhshëm do të jetë i mundur aplikimi i drejtpërdrejtë për viza në Bullgari. Vizat kushtojnë 35 euro, për ata që mbajnë ende pasaporta të ish Jugosllavisë, sepse ekziston një marrëveshje e nënshkruar mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë, për lehtësimin e vizave për shtetet anëtare", ka thënë zv/ministri bullgar Keremedshiev.
Nga ana e saj, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, theksoi bashkëpunimin e vendit tonë me Bullgarinë në fusha të ndryshme. "Kemi biseduar për një bashkëpunim në shumë fusha, si trajnimi për diplomatë, fushën e ndihmës për ekspertizat forenzikë, përfshirjen e studentëve në universitetet bullgare dhe në universitete në gjuhën amerikane që funksionojnë në Bullgari. Na premtuan se do të kemi një bashkëpunim të hapur dhe se do të avokojnë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në shtetet e tjera të Evropës e gjetiu", tha Kelmendi.
Në anën tjetër zëvendësministri i Jashtëm bullgar theksoi se do të prezantojë edhe një listë me marrëveshje të dyanshme, të cilat duhet të nënshkruhen, me qëllim të krijimit të marrëdhënieve të cilat janë në pajtueshmëri me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, tha se bashkëpunimi me Bullgarinë, është një interes i veçantë për vendin tonë, pasi Bullgaria është anëtare e BE së. /QIK/




















































