Aleanca Qytetare Vlorë i bënë thirrje Presidentit Meta: Shpërndaje parlamentin, nuk përfaqëson elektoratin

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën përmes një deklarate publike i ka kërkuar presidentit Ilir Meta të vendit qe te shpërndajë Kuvendin.
“Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën, vlerëson me shqetësim të thellë krizën politike ku ndodhet vendi, rrezikun që i kanoset demokracisë dhe pluralizmit, si dhe stabilitetit të vendit nga tentativa e Edi Ramës për të zhvilluar një proces fals më 30 qershor. Anulimi i zgjedhjeve nga presidenti e ka bërë këtë proces tërësisht të paligjshëm dhe të pavlefshëm! Vazhdimi i veprimeve nga administrata zgjedhore dhe nga çdo institucion tjetër i bën ato përgjegjëse dhe bashkëfajtorë në përpjekjen e Edi Ramës për të falsifikuar pushtetin”, thuhet në këtë deklarate.
Ndërsa më poshtë kanë listuar arsyet për anulim të zgjedhjeve.
– Në kushtet, kur është provuar botërisht se parlamenti dhe qeveria janë produkt i vjedhjes së zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin e organizuar; – Në kushtet kur, është asgjësuar Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, kur Edi Rama ka marrë nën kontroll dhe keqpërdor organet e drejtësisë dhe KQZ; – Në kushtet kur, Kuvendi i Shqipërisë nuk plotëson detyrimin kushtetues të përfaqësimit me 140 deputete, pra nuk përfaqëson as numerikisht elektoratin; Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën, i bën thirrje gjithë Qytetarëve Vlonjat të mos bëhen bashkëpunëtor të procesit të 30 Qershorit, që synon eliminimin e pluralizmit politik dhe kthimin e vendit ne monizëm; Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën, i bën thirrje çdo zyrtari të administratës zgjedhore, të administratës qendrore dhe lokale në Vlorë, punonjësve dhe oficerëve të policisë, të mos bëhen pjesë dhe mbështetës në shkeljen e Kushtetutës dhe Ligjit; Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën, i bën thirrje Presidentit që, si garant i Kushtetutës, për të siguruar përfaqësimin e plotë të elektoratit, të shpërndajë Kuvendin dhe në konsultime politike të caktojë një datë të përshtatshme për zgjedhje të parakohshme! Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë ne Vlorë, si një bashkim i Forcave Politike, i Organizatave dhe i Qytetarëve shpreh vullnetin dhe gadishmërinë maksimale: – Për tu angazhuar me të gjitha energjitë për të ndërgjegjësuar qytetarët për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend; – Për të marrë të gjitha masat për të mbrojtur rendin demokratik; – Si dhe për të çelur një dialog gjithëpërfshirës për hartimin e një platforme për ndryshime të thella politike në vend në mënyrë që t’i japim fund modelit autoritar e kriminal te pushtetit të Edi Ramës! Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Vlorën. /Telegrafi/

















































