Industria koreane e filmit është në zi pas ndarjes nga jeta të aktores Kang Seo Ha, e cila humbi betejën me kancerin në moshën 31-vjeçare.

Lajmi u konfirmua të hënën nga mediet koreane, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe prekëse dhe homazhe për aktoren.


E lindur në vitin 1994, Kang Seo Ha e nisi rrugëtimin artistik me videoklipin muzikor të Brave Guys, “Getting Farther Away”, duke tërhequr shpejt vëmendjen e publikut.

Foto: Kang Seo Ha/Screenshot

Ajo u bë e njohur për rolet e saj në disa drama të njohura koreane si "Schoolgirl Detectives", "Assembly", "First Love Again", "The Flower in Prison" dhe "Heart Surgeons".

Ceremonia e varrimit do të mbahet më 16 korrik, me vendpushimin e saj të fundit në provincën Gyeongnam.

Një video prekëse, e postuar nga një familjare e saj, kujtoi mirësinë dhe forcën e Kang Seo Ha gjatë muajve të fundit të jetës. “Engjëlli im, që na la shumë shpejt… Shpresoj të jesh e lirë nga dhimbja tani”, shkruhej në dedikim.

Projekti i saj i fundit, filmi "Mangnaein", pritet të publikohet së shpejti, duke shënuar një lamtumirë të dhimbshme, por të paharruar për fansat dhe industrinë. /Telegrafi/