Policia Rrugore në Shqipëri ka marrë masa shtesë për menaxhimin e trafikut në sezonin e verës dhe parandalimin e aksidenteve.

Drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola në konferencë për mediat ka treguar disa nga masat e marra për parandalimin e aksidenteve dhe ka dhënë disa këshilla për qytetarët.


“Drejtoria e Policisë Rrugore tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të rritin kujdesin në drejtimin e mjeteve në rrugë. Të ngadalësojnë shpejtësinë, të evitojnë sjelljet e rrezikshme në rrugë si parakalimet e gabuara dhe manovrat e papërshtatshme”.

“Bashkatdhetarëve turistë që ndodhen me pushime në vendin tonë të marrin kohën e duhur për pushim dhe udhëtim, sidomos kur janë familjarisht në udhëtim me mjetet e tyre, të evitojnë përdorimin e pijeve alkoolike”.

Një shqetësim për Policinë Rrugore përbëjnë edhe drejtuesit e motoçiklistëve, të cilët janë të përfshirë në mjaft aksidente.

“Në qendrat e banuara dhe në zonat rurale një tjetër kategori drejtuesish mjetesh të përfshirë në aksidente, janë edhe drejtuesit e çiklomotoreve. Shërbimet e Policisë Rrugore po vazhdojnë kontrollet për këtë kategori mjetesh, me synim evidentimin e atyre shtetasve që i drejtojnë pa leje drejtimi përkatëse, që nuk vendosin kaskon mbrojtëse”.

Drejtori i Policisë Rrugore thotë se janë arrestuar dhe gjobitur shumë shoferë për drejtim mjetesh në gjendje të dehur ose arsye tjera.

“Gjatë muajit Korrik 2018, Policia Rrugore ka arrestuar 101 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 164 drejtues automjetesh për drejtim pa leje drejtimi.Ndërkohë, janë ndëshkuar rreth 7 mijë drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit etj.”, thotë ndër të tjera Mithat Tola, drejtor i Policisë Rrugore./Telegrafi/