LAJMI I FUNDIT:

AKSH del publikisht, thotë se mbron kufijtë e Kosovës

AKSH del publikisht, thotë se mbron kufijtë e Kosovës

Formacioni ushtarak, që veten e çuan, Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH) për herë të parë është shfaqur publikisht edhe atë, në edicionin qendrore të lajmeve në RTK, mbrëmjen e së mërkurës. Për disa minuta, pjesëtarët e AKSH-së, shihen të veshur me uniforma ushtarake, të maskuar dhe mjaft të armatosur.

Njëri nga pjesëtarët e AKSH-së, gjatë këtij xhirimi, i ka thënë gazetarit të RTK-së, Milaim Zeka, se ky formacion ushtarak është formuar me qëllim të ruajtjes se kufijve të Kosovës nga Serbia dhe kërcënimet që vijnë nga ky vend veçmas, pas formimit të gardës së Car Llazarit.

AKSH ka thënë se respekton KFOR-in dhe institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë dhe se cak i tyre nuk do të jetë siguria e brendshme e vendit, por kufijtë e saj.

Ndërkohë, KFOR-i ka reaguar ndaj daljes publike të AKSH-së duke thënë se përgjegjës për sigurinë në Kosovës është pikërisht ai, policia e UNMIK-ut si dhe SHPK-ja dhe është zotuar se të gjitha formacionet ilegale do ta marrin përgjigjen energjike nga forcat ndërkombëtare. Kjo organizatë është shpallur kohë më parë nga UNMIK-u, si organizatë terroriste.


Megjithatë, në reportazhin e shkurtër për AKSH-në, nuk precizohet vendi, koha dhe aspekte më informuese për këtë lëvizje ushtarake.