LAJMI I FUNDIT:

Ahtisaari: Kosova – test për kredibilitetin e Bashkimit Evropian

Ahtisaari: Kosova – test për kredibilitetin e Bashkimit Evropian

Ish-ndërmjetësi për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, ka vlerësuar të hënën se, politika e jashtme dhe e sigurisë e Evropës, kah fundi i këtij viti, do të ballafaqohet me 'testin e kredibilitetit', pasi që Bashkimi Evropian do të duhet të vendosë për të ardhmen e Kosovës.

"Është gjë intriguese që Kosova po bëhet test shumë i rëndësishëm për BE-në, pasi që, nëse nuk arrin të zgjidhë një problem siç është Kosova, sado i komplikuar të jetë ai, atëherë kjo gjë është shumë pikëlluese”, ka thënë Ahtisaari, në nje intervistë për agjencinë Reuters.

Të hënën në Bruksel, Ahtisaari ka inauguruar forumin, Këshilli i Evropës për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR), i ngjashëm më atë që ekziston në SHBA. Në krye të këtij forumi do të jetë vetë Ahtisaari, bashkë me ish-ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Joschka Fischer dhe aktivisten e të drejtave të njeriut, Mabel van Oranje-Nassau.

Qëllimi i formimit të këtij Instituti, sipas deklaratës të përbashkët të 50 themeluesve të tij, është përcaktimi i kahut të politikës së jashtme të BE-së, në mënyrë që të rritet ndikimi i saj në botë.