LAJMI I FUNDIT:

Agjenda e bisedimeve, pas takimit të ministrave të GK-së

Agjenda e bisedimeve, pas takimit të ministrave të GK-së

Rendi i ditës në bisedimet direkte në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të hartohet vetëm pas takimit të ministrave të shteteve anëtarëve të Grupit të Kontaktit, ka thënë ndërmjetësi rus, Kharchenko.

Ai ka thënë se, porositë nga ai takim, duhet të japin inkurajim të fortë për gjetjen e një kompromisi për statusin e ardhshëm të Kosovës, duke shtuar se, përkundër faktit se nuk është optimist i madh, “një fije shprese megjithatë ekziston”.

"Thënë sinqerisht, nuk jam optimist i madh, mirëpo një fije shprese ekziston. Situata edhe më tutje është e rëndë pasi që pozicionet janë diametralisht të kundërta. Tash megjithatë fillojnë bisedimet direkte”, ka thënë Kharchenko, për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.

Ai ka shpjeguar se është vënë një bashkëpunim i mirë në kuadër të treshes ndërmjetësuese, që përbëhet edhe nga Wolfgang Ischinger (BE) dhe Frank Wisner (SHBA), duke shtuar se, disa nuanca ekzistojnë, pasi që anëtaret e treshes janë unik kur bëhet fjalë për gjërat e rëndësishme, sepse qysh në fillim kanë krijuar “një bazë të mirë”.


"Kjo nuk ka qenë punë e lehtë. Gjatë verës kanë ekzistuar dallimet e mëdha në Këshillin e Sigurimit. Jemi pajtuar se ekziston interesi i përgjithshëm në Grupin e Kontaktit – dhe ai është, që të arrihet një zgjidhje kompromisi në mes të serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë më tutje Kharchenko.

Lidhur me deklaratat se – 10 dhjetori është fundi i bisedimeve për Kosovën – ndërmjetësi rus ka shpjeguar se askund nuk shkruan që bisedimet përfundojnë atë ditë.

"Procesi i Kosovës po zhvillohet në kuadër të OKB-së, prandaj nuk duhet marrë parasysh deklaratat tjera. Treshja atë ditë duhet ta paraqes raportin, ndërsa është e qartë se fati i bisedimeve të mëtutjeshme varet nga rezultatet konkrete që do të arrihen gjatë muajve në vijim. Megjithatë, nuk duhet marrë parasysh deklaratat të tjera, pasi që Këshilli i Sigurimit është ai, që do ta sjellë vendimin përfundimtar”, ka shtuar ai.