Site icon Telegrafi

Aeroplani luftarak rus futet në hapësirën ajrore të Suedisë

Një aeroplan ushtarak rus sot u prit nga aeroplanët luftarakë suedezë pasi shkeli për pak kohë hapësirën ajrore të Suedisë në lindje të ishullit Baltik të Gotland.

Dy aeroplanë Gripen u dërguan për të takuar aeroplanin rus, SU-24, pasi ai nuk iu përgjigj një radio paralajmërimi nga kontrolli ushtarak i trafikut ajror të Suedisë, thanë forcat e armatosura suedeze.

“Veprimet ruse nuk janë të pranueshme dhe tregojnë mungesë respekti për integritetin tonë territorial”, tha shefi i forcave ajrore suedeze Jonas Wikman. “Ne ndoqëm të gjithë zinxhirin e ngjarjeve dhe ishim në vend për të ndërhyrë”, shtoi ai.

Incidenti i së premtes ndodhi teksa Suedia – anëtarja më e re e NATO-s – dhe disa nga aleatët e saj të rinj marrin pjesë në stërvitjet detare në Detin Baltik.

Ushtria suedeze tha se shkelje të ngjashme të hapësirës ajrore nga aeroplanët rusë kanë ndodhur për herë të fundit në vitin 2022 kur dy aeroplanë SU-27 dhe dy SU-24 gjithashtu bënë inkursione pranë Gotland.

Fqinja e Suedisë, Finlanda dyshon se katër aeroplanë ushtarakë rusë kishin shkelur hapësirën e saj ajrore më 10 qershor. /Telegrafi/

Exit mobile version