LAJMI I FUNDIT:

79 milionë euro hua për KEK-un

79 milionë euro hua për KEK-un

Pas disa muajsh bllokade, Ministria e Ekonomisë dhe Fianancave (MEF), është pajtuar që t’i lejojë Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), një hua prej 79 milionë eurosh, mjete këto të cilat do të shfrytëzohen për realizimin e projekteve kapitale.

"Këto mjete do shfrytëzohen për projektin e Sibovcit jug-perëndimor, që përfshin edhe blerjen e ekskavatorëve, rehabilitimin e njësisë A5 të Termocentralit "Kosova A", pastaj blerjen e rotorëve dhe disa projekte tjera në Divizionin e Rrjetit", tha Nezir Sinani, ushtrues detyre i menaxherit për komunikim në korporatë.

KEK-u ka njoftuar MEF-i një vendim të tillë e ka marrë me datën 13 të këtij muaji.

"Të premten ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj, ka pranuar një letër nga Ministri i MEF-it, Ahmet Shala, me të cilën është njoftuar që kjo ministri është pajtuar me termet e kontratës së huasë të kërkuar nga KEK-u për realizimin e projekteve kapitale në të gjitha divizionet e kompanisë".


Nënshkrimi i kontratës në fjalë bazuar në njoftimin e KEK-ut, pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim.

"KEK-u me këtë rast shprehë falënderimet më të sinqerta për vendimin e Qeverisë në favor të kontratës së huasë, përmes së cilës do të nisë një fazë e re e realizimit të projekteve shumë të nevojshme kapitale në Korporatë, që do të rezultojnë me një sistem energjetik më të qëndrueshëm dhe më kualitativ në vend", thuhet në njoftimin zyrtar të KEK-ut. /Telegrafi/