LAJMI I FUNDIT:

100 milionë euro më shumë nga akciza në mallrat e forta

100 milionë euro më shumë nga akciza në mallrat e forta

Qeveria e Kosovës ka paraparë që të rrisë të hyrat nga akciza në “mallrat e forta” apo të luksit siç quhen ndryshe cigarja, alkooli, kafeja etj, gjatë tre viteve të ardhshme për së paku 100 milionë euro.

Kështu është projektuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të publikuar nga ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Sipas projeksioneve qeveritare në 2011 do të mblidhen nga akciza plot 255 milionë euro.

Në vitin 2006 nga akciza në këto mallra u mblodhën 161 milionë euro, në 2007 rreth 191 milionë euro ndërsa gjatë këtij viti pritet të mblidhen 201 milionë euro.


Në 2009 do të ketë një ngritje më të madhe të hyrave nga akciza e cila do të shkojë në 231 milionë euro ndërsa në 2010 vetëm 10 milionë euro më shumë apo 242 milionë euro.

Në fakt tashmë “Telegrafi” ka bërë publike idenë e qeverisë së Kosovës për të rritur akcizën në cigare në 17 euro për kilogram në 22 euro, gjë e cila nuk është pranuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili I ka sugjeruar qeverisë që të shkojë në ngritje jo të menjëhershme por shkallë-shkallë.

Sipas këtij institucioni akciza për këtë kohë nuk duhet të shkojë më shumë se 20 euro për kilogram, çka do të rrisë çmimin e cigareve me pakicë së paku 10 cent për paketë.

Por jo vetëm cigaret por edhe akciza në kafe, në alkool dhe në mallra tjera të luksit është paraparë të rritet që nga një janari i vitit të ardhshëm, me qëllimin për t’i kompensuar të hyrat më të pakta që do të vinë nga tatimi në fitim i cili pritet të ulet.

Edhe në këtë pike qeveria e Kosovës dhe FMN nuk kanë gjetur mirëkuptim pasi qeveria nën presionin e biznesit dhe lobeve të tyre ka prezantuar idenë për ta ulur në 10 përqind, sa e kanë të gjitha vendet e rajonit, por FMN thotë se ajo duhet të mbetet në 15 për qind.

Ekspertët e ekonomisë kanë sugjeruar se FMN nuk duhet të pyetet për këtë gjë pasi ndryshe nuk do të mund të tërheqim asnjë investim të jashtëm./Telegrafi/