LAJMI I FUNDIT:

Treni i “kulturuar” dhe akulturimi shoqëror

Treni i “kulturuar” dhe akulturimi shoqëror

Elizabetë Qarri Musliu

Politikat e okupimeve territoriale duke përdorur elementë kulturorë nën trysni dhe presion, kanë për qëllim akulturimin dhe cenimin e integritetit moral e shpirtëror të një populli. Por, kur një popull shpërfill kulturën e trashëguar dhe promovon fenomene akulturore, rrezikon humbjen e trashëgimisë kulturore të tij për ti lënë vend deformimeve socio-kulturore e politike që dëmtojnë kulturën e mirëfilltë.


Mendova gjatë të shkruaj apo jo për episodin e fundit të dalë nga seriali shumëvjeçar i fqinjit tanë Serbisë, ku skenaristë e regjisorë të njohur politikë, kësaj radhe nuk u mjaftuan vetëm me cenimin e kufijve territorialë dhe akteve më të larta juridike të Republikës së Kosovës, por në lokomotivën e mbetur të këtij karvani kishin angazhuar edhe artistë, që me kontributin e tyre artistiko-nacionalist të provokojnë edhe një segment tjetër po aq të rëndësishëm të një populli, e që është integriteti moral e shpirtëror i tij.

Nuk e di nëse reagimi më erdhi thjesht si qytetare e shqiptare e këtij vendi, apo ndoshta edhe si studiuese e artit dhe fenomeneve të tij. Por, ajo çfarë di është se nuk i rezistova dot tundimit që të mos reagoj karshi këtij poshtërimi të radhës, ku elementi kulturë del të jetë faktor shumë i rëndësishëm për popuj që dinë ta përdorin atë dhe shumë i rrezikshëm për ata që nuk dinë ta kuptojnë dhe shfrytëzojnë.

Përderisa ne akoma sot nuk arrijmë të kuptojmë qartë rolin dhe rëndësinë e kulturës në shoqërinë kosovare, popuj tjerë tashmë po tejkalojnë gjithçka dhe po bëjnë të pamundurën që zhbërjen e qenies sonë shqiptare ta tentojnë në çfarëdo forme, tashmë edhe përmes kulturës. Për ata që duan të kuptojnë, tendenca e poshtërimit dhe dehumanizimit të një populli është po ashtu pjesë e realitetit kulturor të popullit që ushtron këtë trysni. Kur dikush ka në kulturë poshtërimin e shkatërrimin, ai është në gjendje të zhbëjë edhe kulturën e popullit të tij, vetëm e vetëm të arrijë qëllimet e tij. Pra, do të thotë se duhet studiuar gjenetikën e tij, e këtë e dëshmon më së miri edhe fakti se si këta popuj, s’lënë mekanizëm pa përdorur, vetëm për të shkatërruar. Të dehumanizosh një popull, mund ta bësh lehtësisht përmes kulturës.

Me gjasë, këtë e kanë të qartë të dyja shtetet aleate, Rusia që i bëri këtë dhuratë Serbisë dhe Serbia që pranoi trenin e shkarravitur e me thirrje nacionaliste, ani pse me gabime drejtshkrimore e me ngjyrat sllave të keqpërdorura në mënyrën më banale të mundshme. Vendosja e afreskeve të kishave ortodokse në hapësirën e trenit, është fyerje edhe për vetë kulturën, e në këtë rast për Serbinë që përfaqësoi ajo vetë. Për më tepër është një shembull i mirë si abuzohet me kulturën, por ky nuk ishte qëllimi parësor i tyre, ishte cenim moral e shpirtëror i shqiptarëve, ishte imponimi i dhunshëm dhe me çdo kusht i kulturës së tyre brenda kulturës sonë.

Pra, ishte akulturimi si fenomen d.m.th. përmes kulturës të imponojë politikë nacionaliste serbe te shqiptarët, ndonëse edhe kësaj radhe me dhunë, pra kryefjala ishte fyerja dhe poshtërimi. Më keq se sa kjo, afresket e shfaqura në tren duke mos e pasur vendin aty, më asociuan në trenin famëkeq dhe kohët e tmerrit ku mijëra shqiptarë u dëbuan me dhunë nga atdheu; trenat që bartnin burra, gra e fëmijë të dërmuar nga ankthi i trishtë, se a do të kthehen të gjallë ndonjëherë në shtëpitë dhe tokën e tyre. Më asociuan në trenin ku ndodhej një shqiptar i madh Fehmi Agani; tek rrëfimet trishta të grave të përdhunuara shqiptare; më asociuan në shumëçka.

Pra, ishte treni që tentoi të përdhosë moralin shpirtëror të kombit tonë, gjendjen e së kaluarës sonë emocionale që s’ia patëm borxh askujt, ky ishte asocimi i trenit. Por, ashtu si erdhi treni shkoi. Le të merremi pak me kulturën tonë!

Ditëve të fundit, shpërtheu një debat publik mbi një fenomen që tashmë mori dhenë, promovimi i disa individëve as artistë e as humoristë, në programe të Vitit të Ri, që elektrizoi gjithë opinion publik. U fol e stërfol, disa u kënaqën shumë, disa qeshën pafund, por pati edhe të tjerë që u dëshpëruan thellë. Ka disa mënyra për tu bërë i famshëm, por të kërkosh famën duke u tallur me injorancën e të padishmit e me fatkeqësinë e gabimit ku natyra ndonjëherë luan me njeriun, është gjëja më jonjerëzore e mundshme, kjo nuk është kulturë.

Populli shqiptar njeh solidaritetin, dashurinë, sakrificën por kohëve të fundit po ndodhin gjëra të çuditshme. Përse duhet qeshur me fatkeqësitë e njerëzve, ani pse ata të shkretët mendojnë se bëjnë art, i aplaudojmë, i mediatizojmë sa që bindim ngadalë edhe veten tonë se ky është arti, muzika, humori, se këto janë simbolet kombëtare, ani pse të keqpërdorura e shtrembëruara. Jo, kjo nuk është kultura jonë.

Ne duam UNESCO-n, duam trashëgiminë tonë kulturore, gjuhën tonë, muzikën, pikturën, historinë tonë, identitetin tonë, ka kaq shumë që quhet shqiptare. Humbën një rast , atë e fitoi Serbia, UNESCO-n. Pra mos të qeshim me të padishmin, por le të merremi me ata që dinë, kjo është kultura jonë! Trenat shkojnë e vijnë, ne le të punojmë për ti dëshmuar fëmijëve tanë e botës mbanë se kush në të vërtetë jemi dhe çfarë është kultura jonë. Na pret shumë punë!