Rrjetet sociale vazhdojnë të jenë arenë e përplasjeve mes zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Një deklaratë e të parit të AAK-së, Ramush Haradinaj se “kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës. Është vetëm kundër Kosovës. Dhe, si armik i Kosovës do të trajtohet!”, nxiti sërish reagime.
Deputeti i LVV-së, Salih Zyba e pau këtë si kërcënim të hapur ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Nëse statusin e Ramush Haradinajt nuk e marrim si kërcënim të hapur për Kryeministrin Kurti edhe qeverinë e Republikës së Kosovës atëherë po pajtohemi që askush më nuk e merr seriozisht”, ka shkruar Zyba.
E ndaj tij ka reaguar zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili. Ai ka shkruar se Zyba e paska identifikuar kush po i rrezikon ushtarët amerikanë e ai qenka Kurti dhe Qeveria e Kosovës.
“Pse Salih Zyba po mendon që Ramushi e kërcënoi Kurtin? – A po mendon Salih Zyba që Kurti po i kërcënon ushtarët amerikanë a?- Çka po di Salih Zyba në këtë?”, ka shkruar Xhemaili.
Zëdhënësi i AAK-së tutje ka shkruar se Zyba kaq din kaq flet.
“Me këtë çoroditje, ti e implikove Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë në diçka fort të keqe për Kosovën! Është e qartë që Haradinaj ne statusin e tij, e ka pasur fjalën për strukturat kriminale. Por, si Zyba e paska parë Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë aty, veç ai duhet ta dijë!”, ka shkruar Xhemaili. /Telegrafi/