Site icon Telegrafi

Zonja e Parë e Ukrainës dhe kreu i diplomacisë ukrainase vizitojnë Serbinë

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, e nisën të dielën një vizitë dypalëshe në Beograd.

Kjo është vizita e parë e një personaliteti të lartë ukrainas në Serbi prej se Moska e filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Vizita e tyre filloi me një vizitë në Bibliotekën e Qytetit të Beogradit, ku u shoqëruan nga Tamara Vuçiq, bashkëshortja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zelenska vizitoi qytetin dhe kështjellën mesjetare serbe Kalemegdan, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ndërkohë, Zelenska shkroi në rrjetin social Instagram se e vizitoi vendin arkeologjik me ekspozitën “Salla romake” në bibliotekën e qytetit të Beogradit, si dhe “Raftin ukrainas”, një cep i bibliotekës me libra ukrainas që u themelua nën patronazhin e saj.

Ajo mori pjesë edhe në nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim në mes të universiteteve të Beogradit dhe Kievit, siç u raportua.

Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, e cila përfshin gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në 2014. Megjithatë, edhe pse një kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE) prej vitit 2012, Serbia nuk e ka përshtatur politikën e vet të jashtme me atë të Brukselit, duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje.

Zelenska dhe Kuleba mbërritën për të vizituar Serbinë dhjetë ditë pas zgjedhjes së Qeverisë së re serbe, pjesë e të cilës janë edhe dy ministra të afërt me Rusinë, gjë për të cilën Beogradi është kritikuar nga BE-ja dhe SHBA-ja. /rel/

Exit mobile version