Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, njëherësh edhe kryetar i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, ka vizituar Sarajevën, ku ka takuar zëvendëskryetaren e Këshillit të Ministrave dhe ministren e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq.
Atje, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, ndër tjerash ka kërkuar falje për prezencën para pak ditësh të dy ministrave të Qeverisë së Malit të Zi në të ashtuquajturën ‘festë e Ditës së Republikës Srpska’ në Sarajevë, përcjell Telegrafi.
Me këtë rast, ai ka shprehur bindjen se ata nuk përfaqësonin dhe nuk mund të përfaqësonin shumicën e Malit të Zi.
Ndërkohë Turkoviq ka përsëritur qëndrimin e saj të mëparshëm se ishte e befasuar nga prania e dy ministrave të Qeverisë së Malit të Zi në festimin e 9 janarit si Dita e RS-së, sepse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës e shpalli atë festë jokushtetuese dhe se prania e tyre dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve përndryshe miqësore dhe fqinje.
“E nderuara zonja Turkoviq falënderoi për vizitën dhe shprehu besimin e saj se, pavarësisht nga kjo ngjarje fatkeqe, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina do të vazhdojnë të ndërtojnë, ushqejnë dhe përmirësojnë vazhdimisht marrëdhëniet e mira dhe miqësore dypalëshe, si dhe se Mali i Zi, pavarësisht sfidave politike në të cilën ndodhet, të ruajë rrugën e saj euroatlantike, civile dhe demokratike”, citohet të ketë njoftuar Partia Boshnjake.
Ndryshe, e ashtuquajtura ‘festë e Ditës së Republikës Srpska’ në Sarajevë kishte nxitur reagime të shumta.
Një reagim kishte ardhur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë e cila ka reaguar edhe ndaj vendimit për dekorimin e presidentit rus, Vladimir Putin nga ana e udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.
“… vendimi i (Milorad) Dodik për të festuar 9 janarin është i paligjshëm. Ai shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës sipas të cilit festimi është antikushtetues”, citohet të ketë thënë më tej ambasada amerikane.
Ata kanë përkujtuar se neni 3 i Marrëveshjes së Dejtonit është i qartë dhe se Republika Srpska duhet të respektojë plotësisht vendimet e institucioneve të Bosnjë-Hercegovinës, përfshirë vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse i pëlqejnë apo jo.
Veç kësaj, një “përplasje” ka ndodhur edhe ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe mediave në Serbi.
Kjo pasi që djali i presidentit të Serbisë, Danilo, i cili nuk ka një pozicion zyrtar, ishte ndër “të ftuarit e nderit” në Sarajevë në të ashtuquajturën festë të Ditës së Republikës Srpska në Sarajevë. /Telegrafi/