Poezi nga: Sergei Yesenin
Përktheu: Maksim Rakipaj
Zemër e çmendur, mos rrih kështu!
Dihet, lumturia të mashtron,
Vetëm lypsi pakëz fat kërkon
Zemër e çmendur, mos rrih kështu.
Hën’ e zbehtë, si magji ndër ëndrra
Derdhet mbi gështenja e mbi shtigje.
Del Lela me shallvaret e gjëra
Dhe unë pas një perdeje fshihem.
Zemër e çmendur, mos rrih kështu.
Shpesh herë si fëmijët, me lot
Edhe qajmë, apo dhe gajasim:
Ashtu si na vjen në këtë botë
Gëzim apo trishtim, sipas rastit.
Zemër e çmendur mos rrih kështu.
Pashë vende gjatë jetës, plot.
Lumturinë gjurmova kudo,
Por çka më deshi shpirti më fort
S’e gjeta kurrë, më s’e kërkoj.
Zemër e çmendur mos rrih kështu.
Por jeta s’na gënjeu aq shumë.
Sërish do të pimë me furi.
Zemër, nëqoftëse ty të vjen gjumë,
Këtu të flesh, mbi gjunjët e mi.
Mbase, për ne shkroi gjëkund,
Fati, si ortek që vjen furishëm
Dhe do t’na përgjigjet më në fund
Dashuria, me këngë bilbilësh.