Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Armend Zemaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.
Në këtë takim, Ministri Zemaj e njoftoi ambasadorin amerikan lidhur me prioritet e punës së tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në mënyrë të veçantë, është diskutuar lidhur me masat e ndërmarra për menaxhimin e situatës epidemiologjike në Kosovë lidhur me pandeminë COVID-19, transmeton Telegrafi.
Ministri Zemaj ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në përgjigje ndaj COVID-19 dhe e ka siguruar atë se MSh do të jetë e angazhuar që të sigurojë mbrojtje shëndetësore kundër virusit për të gjithë qytetarët e saj.
Ambasadori Kosnett tha se COVID-19 është një sfidë e përbashkët e shumë shteteve të cilat po e merren me luftimin e saj dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi midis shteteve është i rëndësisë së madhe për ta përballuar më lehtë atë.
Ambasadori theksoi se shumë e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim të drejtpërdrejt midis autoriteteve qeveritare dhe qytetarëve ashtu që popullata ta kuptojë rëndësinë e zbatimit të masave mbrojtëse dhe të marr mesazhet e drejta për t’u mbrojtur dhe tejkaluar sfidën e COVID-19. /Telegrafi/