Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se nëse Ukraina humb Bahmutin, Moska mund të punojë në mbështetjen ndërkombëtare për një marrëveshje që do të kërkonte kompromise të papranueshme nga Kievi.
Ai ftoi gjithashtu liderin e Kinës, Xi Jinping, i cili ishte së fundmi në Moskë, të vizitojë edhe Kievin, transmeton Telegrafi.
“Nëse Bakhmuti bie në duart e forcave ruse, presidenti i tyre Vladimir Putin ‘do ta shiste’ këtë fitore Perëndimit, popullit të tij, Kinës dhe Iranit”, tha Zelensky gjatë një interviste dhënë për Associated Press.
Presidenti ukrainas realizoi intervistën për AP-në, derisa ishte në trenin që vazhdimisht lëvizte nga njëri qytet në tjetrin për arsye sigurie.
Zelensky shprehu shqetësimin se do të kishte një rënie të mbështetjes në SHBA.
“Shtetet e Bashkuara e kuptojnë vërtet se nëse ndalojnë së ndihmuari, ne nuk do të fitojmë”, tha ai.
Pranoi se humbja e Bakhmutit, për të cilin thuhet se po zhvillohen betejat e ashpra tash e shtatë muaj dhe që është beteja më e gjatë në këtë luftë, do të ishte më shumë një humbje e kushtueshme politike sesa humbje taktike. /Telegrafi/