Filmi “Zana” i regjisores Antoneta Kastrati hapi edicionin “Film Flaka 2025” në Gjilan, duke shënuar fillimin e një serie shfaqjesh filmash shqiptarë në kuadër të manifestimit të njohur “Flaka e Janarit”.
Kjo ngjarje, e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit, do të vazhdojë me prezantimin e filmave të tjerë më 19 dhe 20 janar 2025, duke sjellë për publikun artdashës krijime të veçanta nga kinematografia shqiptare, prodhuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Filmi “Zana” sjell një dramë të fuqishme emocionale, ku rrëfehet historia e një gruaje nga një zonë rurale e Kosovës, e cila përballet me plagët e thella të së kaluarës dhe sfidat e pashmangshme të një fati të pamëshirshëm. Roli kryesor i Zanës, i interpretuar mjeshtërisht nga aktorja Adriana Matoshi, shpalos një luftë të brendshme të ndërlikuar, ndërsa përballja e saj me normat tradicionale të shoqërisë rurale e thellon dramën.
“Zana” është një bashkëprodhim mes Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
Filmi debutoi në shtator të vitit 2019 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto dhe që atëherë ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare, duke korrur suksese të shumta.
Në kuadër të “Film Flaka 2025”, organizatorët synojnë jo vetëm të promovojnë artin shqiptar, por edhe të edukojnë dhe frymëzojnë publikun përmes tregimeve të fuqishme që përçojnë mesazhe të rëndësishme shoqërore. /Telegrafi/