Ylli televiziv, aventuristi dhe ish-pjesëtari i njësisë elitare të ushtrisë britanike Bear Grylls, ka intervistuar për Channel 4 presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Gjatë realizimit të intervistës, pranoi se ka përjetuar një situatë paksa të palakmueshme që madje e kishte habitur plotësisht, transmeton Telegrafi.
Derisa po filmonin dhe shoqërohej, Grylls në një moment i kishte ofruar pak çokollatë Zelensky, por sigurimi kishte reaguar menjëherë duke e analizuar për t’u siguruar nëse mund të vije deri te helmimi. E këtë histori ai e ndau për Radio Times.
“Kur i ofrova çokollatën Zelenskyt, një nga djemtë e tij u hodh dhe tha se ai nuk duhet ta hante. Unë i thashë, ‘në rregull, do të shkoj unë i pari’, për të treguar se nuk kam ndërmend ta helmoj dhe të gjithë qeshëm”, tha ai.
“U dhashë pak djemve të sigurisë sepse të gjithëve u pëlqen një copë çokollatë, apo jo?” shtoi ai në intervistë.
“Intervista më e vështirë që kemi regjistruar ndonjëherë”, shkroi Grylls në Instagramin e tij, dhe shtoi se do të “zbulonte anët e këtij lideri botëror që nuk janë parë kurrë më parë”. /Telegrafi/