Sergio Busqutes, Jordi Alba dhe Luis Suarez, që të tre iu bashkuan Lionel Messit në MLS tek Inter Miami gjatë 12 muajve të fundit, dhe ky ribashkim i lojtarëve të Barcelonës mund të infiltrohet nga një ikonë e Real Madridit këtë verë.
Kjo për shkak se klubi me bazë në qytetin e Floridas, ka shprehur interesim për të nënshkruar me kapitenin e ‘Los Blancos’ Nacho Fernandez.
Sipas Relevo, Inter Miami do të ishte shumë i interesuar për të nënshkruar me Nachon, i cili është i etur që të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas largimit nga Real Madridi.
Pritshmëritë gjatë javëve të fundit kanë qenë se ai do të largohet në fund të sezonit aktual, ndonëse asnjë konfirmim zyrtar nuk është dhënë deri më tani.
Nacho nuk do të ishte në gjendje që të fitonte para aq shumë sa bën tek Real Madridi tani, ani pse Inter Miami po synon që ta bëjë atë njërin prej lojtarëve më të paguar të ekipit.
Gjatë ditëve të fundit, dyshime të mëdha janë ngritur lidhur me largimin e mundshëm të Nachos nga Real Madridi.
Megjithatë, është lënë të nënkuptohet se asnjë vendim nuk do të merret të paktën deri pas finales së Ligës së Kampionëve, pasi 34-vjeçari nuk dëshiron që të shkaktojë shpërqendrime të panevojshme./Telegrafi/