Site icon Telegrafi

YAHR në Lipjan inicion ndryshimin e rregullores komunale për transparencë

Organizata joqeveritare “Civile Youth Association for Human Rights (YAHR)” ka mbajtur një tryezë diskutimi me përfaqësues të subjekteve politike në Lipjan lidhur me Rregulloren Komunale për Transparencë. Kjo rregullore aktualisht është në diskutim publik nga autoritetet komunale.

Ky takim kishte për qëllim përfshirjen e akterve të ndryshëm, përfshirë përfaqësues të ekzekutivit, subjekte politike të Kuvendit Komunal dhe organizata të shoqërisë civile, në procesin e zhvillimit të kësaj rregulloreje, e cila synon të përmirësojë transparencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve lokale.

Bekim Krasniqi, përfaqësues i shoqërisë civile, propozoi që mbledhjet e Këshillit të Drejtoreve të Komunës së Lipjanit të jenë të hapura për organizatat e shoqërisë civile, për t’u mundësuar atyre monitorimin e punës së institucioneve lokale.

“Ky propozim ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe qytetarëve, duke përfshirë një rol më aktiv të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse”, ka thënë Krasniqi.

 

Pjesëmarrësit e tryezës diskutuan disa çështje të rëndësishme që kërkojnë përfshirje në rregulloren për transparencë. Një prej propozimeve kryesore të paraqitura nga Arsim Jashari, kuvendar, i PDK-së,  ishte që të përfshihet publikimi i shpenzimeve për drek/darka të përfaqësuesve të ekzekutivit në uebfaqen e Komunës së Lipjanit.

“Ky hap synon të rrisë transparencën në lidhje me përdorimin e fondeve publike dhe të mundësojë qytetarëve akses të drejtpërdrejtë në informacionin e rëndësishëm”, ka thënë ai.

Rekomandimet e tjera që dolën nga ky takim përfshinë publikimin e raporteve mujore dhe javore të drejtorive komunale në uebfaqen zyrtare të Komunës dhe raportimin e vizitave të ekzekutivit jashtë vendit tek Kuvendi Komunal, duke përfshirë qëllimin dhe rezultatet e këtyre vizitave.

Sipas drejtorit Krasniqi, ky informacion do të ndihmojë qytetarët të kenë më shumë njohuri mbi aktivitetet e autoriteteve lokale dhe ndikimin e këtyre vizitave në zhvillimin e Komunës.

“Me Këto propozime dhe rekomandime do t’i drejtohem ekzekutivit të Komunës së Lipjanit me qëllim që të integrohen në projektin e rregullores dhe të përmirësohet procesi i transparencës dhe përgjegjshmërisë në nivelin lokal. Ky proces i diskutimit dhe i përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të demokracisë dhe të besimit qytetar në institucionet publike”, ka shtuar Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version