Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se lëshimi i një urdhër-arresti ndërkombëtar për Vladimir Putinin “do të ketë pasoja të këqija politike” dhe do të shërbejë vetëm për të zgjatur luftën në Ukrainë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka lëshuar një urdhër arresti të premten kundër presidentit rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë si përgjegjës për krimet e luftës të kryera në Ukrainë.
Gjyqtarët e procedurës paraprake të gjykatës vlerësuan se kishte “baza të arsyeshme për të besuar se secili i dyshuar mban përgjegjësi për krimet e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, në veçanti të fëmijëve ukrainas”.
Dhe Vuçiq, i cili më parë ka pasur lidhje të ngushta me Putinin dhe ka qenë kundërshtar i zëshëm i gjykatave ndërkombëtare për krimet e luftës, thotë se ishte një vendim i keq, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Ai u tha gazetarëve në Beograd se urdhër-arresti “do të ketë pasoja të këqija politike” dhe tregon se “ka një ngurrim të madh për të folur për paqen (dhe) për armëpushimin” në Ukrainë.
“Pyetja ime është tani që e keni akuzuar për krimet më të mëdha të luftës, me kë do të flisni tani?”, ka shtruar pyetjen Vuçiq.
Ndërsa i pyetur nëse lideri rus do të arrestohej, nëse presidenti rus do të vizitonte Serbinë, Vuçiq tha se është “një pyetje e kotë” pasi ndërsa lufta vazhdon, “Putini nuk ka ku të shkojë”.
Serbia ka mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë gjatë gjithë konfliktit dhe është i vetmi shtet evropian që nuk ka vendosur sanksione ndërkombëtare kundër Moskës.
Por ajo po kërkon gjithashtu anëtarësimin në BE dhe të shtunën, kujton Sky News, ra dakord të shkojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën pas refuzimit të njohjes së shpalljes së pavarësisë së kësaj të fundit në vitin 2008 – një refuzim i përbashkët edhe nga Putini. /Telegrafi/