Kryeministri i Kosovës, Albin Kuti, ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur të premten (sot) në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku nga të shtënat me armë zjarri një grua u vra dhe u plagos vëllai i saj.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, tha se drejtësia duhet të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë.
“Nuk kemi pse presim që t’i dimë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.
Kurti, duke ngushëlluar familjen, të afërmit dhe miqtë e viktimës, ka thënë se, “drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke reaguar për vrasjen e rëndë tha se pavarësisht angazhimit të institucioneve, “gratë ende nuk janë të sigurta”.
“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromis në adresimin e këtyre rasteve”, shkroi Haxhiu në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.
Një grua 21-vjeçare ka mbetur e vrarë, kurse vëllai i saj 15-vjeçar ka mbetur i plagosur pasditen e 12 prillit nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, pasi dyshohet se në drejtim të tyre ka shtënë ish-bashkëshorti i viktimës.
Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt, ka njoftuar se gruaja, e identifikuar me inciale, E.C, 21 vjeçe, ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkaq është plagosur edhe D.C, 15 vjeç, pasi në drejtim të tyre ka shtënë me armë zjarri V.A. 36 vjeç. /Telegrafi/