Skuadra e Tikveshit është fituese e trofeut të Kupës së Maqedonisë së Veriut, pasi në finale triumfuan ndaj Voska Sport me rezultatin 2:1.
Pjesa e parë kaloi nën dominimin e Tikveshit, që në pushim shkuan në avantazh me golin e Stojloskit të shënuar në minutën e 41-të.
Në pjesën e dytë, skuadra nga Kavadari avansoi në 2:0 me golin e Silvas të shënuar në minutën e 59-të.
Minuta e 77-të solli golin për ekipin shqiptar, kur Sharkoski realizoi për Voskën, duke ngushtuar diferencën në 2:1.
Skuadra nga Ohri u mundua deri në fund të gjejë golin e barazimit, por ndeshja u mbyll me rezultat 2:1 dhe fitore të Tikveshit, që fiton për herë të parë në histori trofeun e Kupës.
Nga ana tjetër edhe për ekipin shqiptar ky ishte sukses historik, pasi për herë të parë Voska luan në një finale të Kupës.
Me fitimin e Kupës, tashmë Tikveshi do të luaj në garat eliminatore të Ligës së Konferencës këtë verë. /Telegrafi/