Site icon Telegrafi

Von Cramon takon deputetin gjerman: Rruga për depërshkallëzimin në veri është zbatimi i plotë i planit tre pikësh të BE-së

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e ka zhvilluar një takim deputetin gjerman, Peter Beyer, me të cilin kanë biseduar për situatën në Kosovë.

Cramon, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se me Peter Beyer, një koleg dhe mik i vjetër nga Bundestagu, kishte një bisedë të shpejtë për Kosovën.

“Ne pajtohemi se rruga përpara për depërshkallëzimin në veri është zbatimi i plotë i planit tre pikësh të BE-së dhe mbështetja e forcave progresive në Kosovë për të ardhmen e tyre evropiane dhe në dialog”, tha Von Cramon, transmeton Telegrafi.

Beyer, që dikur ishte raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës, kohë më parë ka deklaruar se tani duhet një shtensionim i menjëhershëm në veri, ndërsa ka shtuar se duhet të ruhet liria e shtypit, medias dhe e shprehjes.

“Situata në Kosovë vazhdon të përshkallëzohet dhe mbetet e paqartë. Tani na duhet një shtensionim i menjëhershëm. Liria e shtypit, medias dhe liria e shprehjes duhet të ruhen pa kushte, ashtu si përkrahja e NATO-s, duke ofruar siguri dhe stabilitet”, kishte shkruar Beyer në Facebook. /Telegrafi/

 

Exit mobile version