Site icon Telegrafi

Volejbollistët e Pejës marrin dënime të ashpra pasi sulmuan tifozët në Ferizaj

Komisioni Disiplinor i Federatës së Volejbollit të Kosovës mori sot (e shtunë) vendimet për lojtarët e klubit të volejbollit të Pejës të cilët kishin sulmuar disa tifozë.

Lojtarët dolën në tribunën anësore të palestrës “Bill Clinton” duke sulmuar ata pak tifozë të cilët ishin të pranishëm në atë që u përshkrua si njëri incidenteve më të rënda në volejbollin kosovar.

Volejbollistit Arlind Kabashi iu shqiptua masa “ndalim i pjesëmarrjes në gara në afat prej 10 vjetësh”, teksa është gjobitur edhe me 1000 euro.

Leotrim Mujaj po ashtu do të jetë jashtë volejbollit për 10 vjet dhe do të paguajë gjobë prej 1000 euro.

Lexo po ashtu Pezullohen gjashtë volejbollistë pas incidentit në ndeshje Ferizaj - Peja

Agron Nikçi, që është kapiten i skuadrës dhe mban pozitë të rëndësishme në Komunën e Pejës, është dënuar me tri vjet përjashtim nga garat dhe gjobë prej 800 euro.

Kaltrim Berisha është dënuar me tri vjet përjashtim nga garat e volejbollit dhe gjobë prej 600 euro, ndërsa tri vite jashtë garave do të jetë edhe Dardan Husaj, që është gjobitur me 600 euro.

Ndërkohë Gazmend Husaj, që vlerësohet prej volejbollistëve më të mirë shqiptar në histori është dënuar me 1 vjet largim nga garat dhe gjobë prej 500 euro.

Sa i përket klubit Peja, ata për shkelje të rëndë disiplinore janë gjobitur me 2000 euro./Telegrafi/

Exit mobile version