Nga: Pedro de Miguel
Përkthimi: Bajram Karabolli
Ia hoqa një fill të kuq, si një nepërkëz, që kishte në supin e xhaketës. Buzëqeshi, zgjati dorën dhe e mori nga dora ime.
– Faleminderit shumë! – më tha. – Jeni shumë i sjellshëm. Nga ju kemi?
Dhe ia nisëm një bisede zbavitëse, plot dredha dhe gazmore ekzotike, sepse të dy paskëshim udhëtuar e vuajtur shumë. Shpejt u ndava me të, duke i premtuar se do ta takoja, nëse do ta shikoja herë tjetër dhe, nëse do të donte, mund të pinim një kafe e të vazhdonim bisedën.
Nuk di pse e ktheva kokën, pasi bëra nja dy hapa, dhe pashë se, gjithë kujdes, po e vendoste përsëri fillin e kuq mbi supin e xhaketës. Pa dyshim, që të mund të kapte një viktimë tjetër dhe të mbushte kështu, për disa minuta, pusin e thellë të vetmisë së tij.